Hytbeja e Myftiut Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së  Fitër Bajramit, e mbajtur në Xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë

Të nderuar besimtarë!

Sot është dita e Fitër Bajramit – dita e gëzimit, falënderimit dhe shpërblimit për ata që e përjetuan Ramazanin me besim dhe përkushtim. Është dita kur mëshira e Allahut shfaqet dhe zemrat mbushen me dritë dhe qetësi. Ramazani nuk ishte vetëm një muaj që kaloi, por një shkollë që na mësoi durimin, vetëpërmbajtjen dhe na mundësoi afrimin tek Allahu. Në të mësuam të kontrollojmë veten, të shtojmë adhurimin dhe të pastrojmë zemrat tona. Bajrami si festë nuk është fundi i ibadetit, por fillimi i qëndrueshmërisë. Prandaj, le ta ruajmë këtë frymë edhe pas Ramazanit, duke forcuar besimin, duke bërë vepra të mira dhe duke përhapur dashuri, falje dhe solidaritet.

Qytetarë të nderuar,

Morali është fryti më i bukur dhe më i vlefshëm i Ramazanit. Agjërimi nuk ishte vetëm për ta ndalur urinë dhe etjen, por për të pastruar zemrën dhe për të fisnikëruar shpirtin. Ai erdhi që ne të largohemi nga padrejtësia, nga fjalët e këqija, nga përgojimi e arroganca, dhe të zbukurohemi me sinqeritet, butësi dhe drejtësi. Allahu e lartësoi të Dërguarin e Tij a.s., duke e përshkruar me moral madhështor, për të na treguar se kulmi i besimit është sjellja dhe edukata e mirë.

Zoti në Kuran thotë: وَإِنَّكَ لَعَلَى خُلُقٍ عَظِيمٍ “Dhe me të vërtetë, ti je me virtyte të larta të moralit.” (El Kalem, 4).

Të dashur vëllezër,

Kurani fisnik është libër udhërrëfyes besnik që duhet të jetojë në zemrat dhe veprat tona. Nuk zbriti që të vendoset në rafte me respekt formal, por që të ngrihet në jetën tonë si dritë, si drejtim si shpëtim. Andaj të dashur besimtarë, dijeni mirë se,  nuk ka mburojë më të fortë për ne, se Kurani që na udhëzon në vazhdimësi drejt dashurisë për Zotin, për jetën, për njeriun e për vatanin.

Të dashur prindër,

Mos i lini fëmijët në mëshirën e kohës! Mos ia dorëzoni edukimin e tyre ekraneve që nuk njohin moral as turp, as kufi. Mos lejoni që zemrat e tyre të mbeten larg dritës së Kuranit. Afrojini me xhaminë, që ta njohin përulësinë dhe devotshmërinë. Afrojini me dijen, që të dallojnë të vërtetën nga e kota. Sepse një shoqëri e shëndoshë ndërtohet me zemra të pastra, me moral të lartë, me edukatë dhe me dashuri për fenë dhe për atdheun.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Në kohët e sotme, për të përballuar krizën morale e sociale që po prek mbarë njerëzimin, kërkohet domosdoshmërisht respekti ndaj pluralizmit dhe pranimi i dallimeve mes individëve, komuniteteve e kombeve, pa asnjë formë dominimi ekonomik, kulturor apo ushtarak. Bashkëjetesa njerëzore nuk është vetëm një nevojë sociale, por një parim i thellë fetar dhe kombëtar, i rrënjosur në historinë dhe identitetin e popujve tanë.

Në realitetin e sotëm, ku egoizmi, urrejtja dhe konflikti shpesh sundojnë marrëdhëniet ndër njerëzore dhe ndërkombëtare, kuptimi i vërtetë i dashurisë dhe paqes duket si përjashtim nga rregulli. Fetë, megjithatë, erdhën si mesazh paqeje, duke ofruar udhëzime për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndër njerëzor. Besimet e fetë nga njerëz të padijshëm, shpesh akuzohen për përçarje, ndërkohë që thelbi i tyre i vërtetë është nxitja e solidaritetit dhe dialogut.

Sipas Islamit nuk mund të imagjinohet  që njerëzit do të bashkohen në një fe apo kulturë të vetme. Ngase krijimi i dallimeve mes njerëzve tregon madhështinë dhe vullnetin e Zotit, i Cili shumë qartë në Kuran na thotë:

وَلَوۡ شَآءَ رَبُّكَ لَجَعَلَ ٱلنَّاسَ أُمَّةٗ وَٰحِدَةٗۖ وَلَا يَزَالُونَ مُخۡتَلِفِينَ “Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë” (Hud, 118).

Pra, Kurani na dëshmon se diversiteti është një element i pandashëm i natyrës njerëzore, që duhet kuptuar dhe respektuar në mënyrë të përgjegjshme. Nga perspektiva e Islamit, bashkëjetesa nuk është thjesht tolerancë; ajo është një parim i bazuar mbi dashuri, respekt dhe drejtësi.

Në këtë kuadër, përçarjet, urrejtja dhe fyerjet që shpërndahen mes bijve të të njëjtit komb janë jo vetëm kërcënim moral, por edhe shkelje e thelbit të identitetit kombëtar dhe fetar. Bashkëjetesa e bazuar mbi respekt reciprok dhe vlerësim të dallimeve është rruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të qëndrueshme që jeton në paqe e në harmoni.

Të dashur vëllezër dhe motra,

S’ka dyshim se edhe shoqëria jonë sot po përballet me sfida të shumta, shpesh shohim tensione, përçarje dhe vështirësi në zgjidhjen e problemeve edhe politike apo sociale të cilat direkt prekin jetën e qytetarëve. Duhet ditur se dialogu është më i fortë se përçarja, se urtësia është më e fortë se zemërimi, se përgjegjësia është më e fortë se interesi personal. Nëse këto vlera i kultivojmë në jetën tonë shoqërore dhe publike, shumë probleme do të zgjidheshin më lehtë.

Megjithatë, të mos humbasim shpresën, ngase shpresa është forca që e mban një popull gjallë. Si udhëheqës shpirtëror dhe si përfaqësues i një institucioni që historikisht ka qenë pranë popullit në momentet më të rëndësishme të historisë sonë, ndiej obligim moral dhe qytetar të drejtohem me një fjalë të sinqertë ndaj faktorit politik të vendit tonë. Duhet ditur të gjithë pa përjashtim, se shteti dhe institucionet e saj janë amanet i qytetarëve dhe përgjegjësi që iu besohet përfaqësuesve politikë, për të shërbyer me ndershmëri, maturi dhe vizion për të mirën e përbashkët.

Prandaj është e papranueshme që sot, në kohë paqeje dhe në kushte të një sistemi demokratik, vendi ynë të ngecë për shkak të mungesës së vullnetit politik për kompromis, dialog, përgjegjësi, dhe për pasojë zhvillimi i shoqërisë tonë të mbetet peng i krizave politike. Në momente të tilla kërkohet maturi e vetëdije e lartë shtetërore, kërkohet kulturë dialogu dhe mbi të gjitha kërkohet sakrificë për të vendosur interesin e vendit e të kombit mbi çdo interes tjetër. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë urtësi në politikë, për më shumë kulturë dialogu dhe për më shumë ndjenjë përgjegjësie ndaj interesit publik. Historia do të gjykojë jo vetëm për vendimet që janë marrë, por edhe për momentet kur përgjegjësia është shmangur.

Lusim Zotin që të na bekoj me urtësi e drejtësi, që të jemi në nivel të përgjegjësisë që mbajmë  për të ardhmen e vendit e kombit, qoftë si individ apo si shoqëri.

Zoti i Madhërishëm na bëftë prej atyre që ndërtojnë familje të forta, rini të ndershme dhe një shoqëri me besim, moral dhe dashuri për atdheun.  

Myftiu Naim ef. Tërnava

Prishtinë, 19.03.2026