I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,
Të nderuar përfaqësues të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës,
Myfti i Gorazhdës, Remzi Pitiç, drejtor Muhamed Jusiq, Rifat Fetiç, si dhe shoqërues të tjerë,
I nderuar drejtor i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, z. Atdhe Hetemi,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të institucioneve shtetërore, kulturore dhe arsimore,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni që, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, të institucioneve të saj, si dhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falënderoj sinqerisht për praninë tuaj në këtë aktivitet me rëndësi të veçantë historike, kulturore dhe përkujtimore, të cilin e kemi organizuar në bashkëpunim me Rijasetin e Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Aktiviteti i sotëm përfaqëson një kapitull të dhimbshëm të historisë sonë të afërt, një histori që i ka bashkuar dy popujt tanë në përjetimin e vuajtjeve, të dhunës së organizuar dhe të krimit shtetëror në dëm të tyre.
Fjalën e kemi për agresionin serb në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për luftën në Kosovë, dy procese historike të dhunshme që, ndonëse të zhvilluara në hapësira të ndryshme gjeografike, u drejtuan nga i njëjti projekt ideologjik dhe politik i të njëjtit regjim shtetëror serb, i konceptuar për të ushtruar dhunë strukturore dhe sistematike ndaj të gjithë atyre që perceptoheshin si ‘të tjerë’ dhe si pengesë për realizimin e objektivave të tij politike.
Në të dyja rastet, si në Bosnjë dhe Hercegovinë ashtu edhe në Kosovë, ky regjim synoi zhdukjen fizike, kulturore dhe shpirtërore të popujve autoktonë nga trojet e tyre shekullore, me qëllim krijimin e një hapësire etnikisht të pastër serbe: Bosnjë pa boshnjakë myslimanë dhe Kosovë pa shqiptarë. Ky projekt, i njohur botërisht si projekti i “Serbisë së Madhe”, u realizua përmes mjeteve më brutale të dhunës shtetërore.
Ne jemi dëshmitarë të asaj që ndodhi si në Bosnjë dhe Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë. Në Bosnjë, forcat serbe tentuan të zhduknin praninë boshnjake përmes formave më ekstreme të dhunës: ekzekutimeve masive, vrasjeve sistematike, dhunimeve dhe terrorit mbi popullatën civile, duke kulmuar me gjenocidin e Srebrenicës – një nga krimet më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në Kosovë, në përpjekje për ta realizuar të njëjtin projekt kriminal, përveç vrasjeve dhe masakrave mbi civilët, u aplikua edhe politika e spastrimit etnik përmes dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre, duke përdorur metodën e njohur të “tokës së djegur”.
Në këtë ndërmarrje kriminale, e cila u krye nga fqinjët tanë, forcat serbe, përveç dhunës fizike, vrasjeve, ekzekutimeve, dëbimeve dhe shkatërrimit të jetës njerëzore, ndërmorën edhe një fushatë të gjerë të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare. Në kuadër të këtij projekti me përmasa gjenocidale, objektiva të veçanta u bënë edhe objektet fetare islame.
Kështu, forcat serbe, me synimin për të fshirë çdo gjurmë të pranisë shqiptare në Kosovë dhe çdo gjurmë të pranisë boshnjake në Bosnjë dhe Hercegovinë, rrënuan dhe shkatërruan objekte sakrale dhe monumentale me vlera të jashtëzakonshme historike, arkitektonike dhe identitare.
U shkatërruan xhami shekullore, shumë prej tyre unike dhe të pazëvendësueshme, çarshi historike me rëndësi identitare, medrese, biblioteka, arkiva dhe institucione të tjera arsimore dhe kulturore, themelet e të cilave ishin vakëfe të themeluara nga shqiptarë dhe boshnjakë, nga ulema, dijetarë dhe bamirës të ndritur të të dy popujve tanë.
Të nderuar të pranishëm,
Pa synuar që të ndalemi në statistika, nga ekspozita që do ta vizitoni sot do të bëhet e qartë se gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, në vendet tona, fillimisht në Bosnjë dhe Hercegovinë e më pas në Kosovë, hapësira këto që i përkasin Evropës dhe qytetërimit evropian, u shkatërruan gjithsej 832 xhami, pa i përfshirë këtu objektet e tjera fetare dhe kulturore. Nga ky numër, 218 xhami u shkatërruan në Kosovë, ndërsa 614 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Këto shifra, sado që nuk e përfshijnë të gjithë spektrin e dëmeve të shkaktuara, flasin qartë dhe pa ekuivok për përmasat e dhunës sistematike dhe për natyrën e krimeve me të cilat u përballën popujt tanë gjatë asaj periudhe.
Fushata shkatërrimtare e forcave serbe u zhvillua pa respektuar asnjë normë morale, juridike apo ndërkombëtare. U injoruan të gjitha konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e objekteve fetare dhe kulturore.
U shkatërruan, u dogjën, u minuan dhe u granatuan qendra historike dhe çarshi identitare të qyteteve të Kosovës, si Çarshia e Pejës, Çarshia e Gjakovës, Çarshia e Vushtrrisë, kompleksi i kullave në Junik, Deçan, Nivokaz dhe në shumë zona të tjera anembanë Kosovës, ku çdo gjë që doli përpara u dëmtua ose u shkatërrua rëndë.
U shkatërruan xhamitë monumentale si Xhamia e Bajrakalisë në Pejë, Xhamia e Hadum Agës në Gjakovë, medresetë historike të Gjakovës, Xhamia e Llapit në Prishtinë, xhamitë monumentale të Vushtrrisë, si dhe xhamitë në Mitrovicë, ndër to edhe Xhamia e Ibrit, e cila, sikurse edhe disa xhami të tjera, u shkatërrua deri në themele dhe trualli i saj u rrafshua me ekskavatorë, me qëllim që të zhdukej çdo gjurmë e pranisë shqiptare dhe myslimane në këto troje.
E njëjta praktikë u ndoq edhe në vendbanimet rurale, ku u shkatërruan xhami shekullore, mesxhide, teqe, kulla tradicionale, shtëpi dhe qindra objekte të tjera me vlera kulturo-historike, të cilat nuk do t’i kemi kurrë më.
Në mënyrë të ngjashme, por në disa raste edhe me intensitet më të madh, forcat serbe vepruan edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë. Këtu mjafton të përmenden Xhamia e Foçës, ajo e Banja Llukës, Ura e Mostarit dhe shumë objekte të tjera anekënd Bosnjës, për të cilat do të flasin më gjerësisht kolegët tanë nga Sarajeva, ndërsa dëshmitë vizuale të tyre do t’i shohim edhe në ekspozitën që hapet sot.
Gjatë përgatitjes së kësaj ekspozite, pata rastin të shoh fotografitë e përzgjedhura për ekspozim dhe jam i bindur se edhe ju, ashtu si opinioni i gjerë, do të vëreni se metodat e shkatërrimit dhe asgjësimit të objekteve fetare islame në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë janë pothuajse identike.
Por dhuna nuk u ndal vetëm te monumentet: agresori serb, përpara se të ndërmerrte fushatën e shkatërrimit të trashëgimisë islame, kishte vënë në shënjestër edhe prijësit fetarë myslimanë, përkatësisht hoxhallarët, të cilët në shumë raste u vranë me qëllim zhdukjen e autoritetit fetar dhe thyerjen e rezistencës shpirtërore të komuniteteve myslimane.
Këtë e dëshmojnë qartë edhe fotografitë e paraqitura në ekspozitën e sotme, të cilat ofrojnë një dëshmi të drejtpërdrejtë të këtyre krimeve.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ekspozita që po e hapim sot në Prishtinë, siç e theksova edhe më parë, është fryt i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ngushtë ndërmjet dy bashkësive tona fetare: Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës. Kjo ekspozitë realizohet në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh të qëndrueshëm, i cili do të vazhdojë edhe më tej, me ç’rast në muajin maj ajo do të hapet edhe në Sarajevë.
Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj ekspozite dhe mesazhin e fuqishëm që ajo përcjell, propozoj që ajo të shtrihet edhe në qendra të tjera të Kosovës, në qytete të ndryshme shqiptare, si dhe, pas muajit maj, edhe në qendra të tjera të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Po ashtu, konsideroj se kjo ekspozitë duhet të hapet edhe në ato qendra evropiane ku jeton dhe vepron diaspora jonë, me qëllim që kjo dëshmi historike të bëhet pjesë e ndërgjegjes kolektive edhe jashtë vendeve tona.
Përveç kësaj, mendoj se materialet shoqëruese të kësaj ekspozite, përfshirë katalogun përkatës, duhet të përgatiten edhe në gjuhën angleze dhe arabe. Në këtë mënyrë, do t’u ofrojmë miqve tanë ndërkombëtarë dëshmi të qarta, të dokumentuara dhe të pakontestueshme mbi atë që ka qenë i planifikuar dhe i zbatuar nga regjimi serb në vendet tona.
Është detyrë dhe obligim moral, historik dhe qytetar që të kaluarën tonë ta dëshmojmë me dinjitet dhe krenari, pa e harruar, pa e relativizuar dhe pa e minimizuar, por duke u përballur me të me përgjegjësi.
Falë Zotit, planet e regjimit serb, as në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe as në Kosovë, nuk u realizuan plotësisht.
Sot, ne jemi shtete të pavarura, popuj të lirë, dhe kemi arritur të rikthejmë, aq sa ka qenë e mundur, vlerat tona të shkatërruara, duke rindërtuar monumentet dhe trashëgiminë tonë materiale.
Megjithatë, ajo që ka ndodhur duhet të kujtohet dhe të mos harrohet kurrë. Kjo kujtesë duhet t’u transmetohet brezave të ardhshëm, me qëllim që ata të jenë të vetëdijshëm për trashëgiminë që kanë marrë, të njohin dhe të kuptojnë sakrificën dhe vuajtjen e popujve tanë, si dhe të mbajnë gjallë kujtesën kolektive për krimet dhe shkatërrimet e kryera.
Njëkohësisht, është e domosdoshme që bota e qytetëruar të rikujtohet vazhdimisht për këto ngjarje tragjike, sepse vetëm përmes kujtesës aktive dhe dëshmisë së dokumentuar mund të shlyejmë një pjesë të borxhit moral ndaj shehidëve tanë, viktimave të luftës dhe historisë.
Këtë nuk e bëjmë për të nxitur urrejtje, për të prodhuar ndasi apo për të krijuar konflikte të reja e gjakderdhje, por për të ndërtuar vlera qytetëruese, për të kultivuar respektin ndaj tjetrit dhe për të kontribuar në ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe të bashkëjetesës shoqërore.
Prandaj, ekspozita “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar”, përfaqëson një dëshmi të fuqishme dhe të argumentuar të sakralocidit të planifikuar, të ushtruar nga shteti, akademia dhe udhëheqja politike e Serbisë së asaj kohe. Ajo jo vetëm që dokumenton shkatërrimin e objekteve fetare islame, por shërben edhe si akt i ndërgjegjësimit historik dhe qytetar për ruajtjen e trashëgimisë, identitetit dhe dinjitetit njerëzor.
Të nderuar të pranishëm,
Në përmbyllje, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ekspozite, që nga ideja fillestare, hartimi i projektit, e deri te zbatimi dhe konkretizimi i saj.
Kontributi i secilit ka qenë i çmuar dhe i domosdoshëm për jetësimin e këtij aktiviteti me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore.
Falënderim i veçantë u takon ekipeve profesionale në Sarajevë dhe në Prishtinë, të cilat me përkushtim, kompetencë dhe përgjegjësi kanë punuar për ta sjellë këtë ekspozitë në nivelin që e shohim sot.
Dua ta theksoj qartë se për projekte të tilla, që i shërbejnë kujtesës historike, ruajtjes së trashëgimisë dhe vlerave qytetëruese, do ta keni gjithmonë mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe timen personale, në cilësinë time si Myfti.
Ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen dhe praninë tuaj.
Prishtinë, 18 dhjetor 2025
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava