Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Fitër Bajramit
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Festa e Fitër Bajramit, të cilën po e përjetojmë sot, është një nga festat më të rëndësishme për besimtarët myslimanë, e cila vjen pas përfundimit të agjërimit të muajit të bekuar Ramazan. Kjo festë ka një peshë të thellë fetare, shpirtërore dhe sociale, pra është një shpërblim prej Zotit, andaj me të drejtë, këtë moment të veçantë e konsiderojmë moment reflektimi, falënderimi dhe lutjeje, ditë me një domethënie të thellë shpirtërore dhe sociale, duke na rikujtuar rëndësinë e devotshmërisë, mirënjohjes, solidaritetit dhe bashkimit familjar.
Rendi përbrenda familjes, gjithherë sipas normave islame, bazohet në parimet e drejtësisë, dashurisë, përgjegjësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet anëtarëve të familjes. Kjo për faktin se familja është bërthama mbi të cilën ndërtohet jeta jonë, është ajo e cila na ofron dashuri, mbështetje dhe vlera që na shoqërojnë gjatë tërë jetës, duke na mundësuar që të përballemi me sfidat e jetës të çfarëdo natyre qofshin ato.
Normat të cilat burojnë nga Kurani dhe hadithet e Muhamedit a.s., saktësojnë se një qift bashkëshortor – burri dhe gruaja, janë themel i familjes. Po ashtu, prindërit janë edhe edukatorët e parë të fëmijëve, duke i pajisur ata me edukatë dhe moral të lartë, me qëllim që të kemi familje dhe shoqëri të formuar mirë, në rrugën e Zotit dhe në shërbim të familjes, rrethit dhe shoqërisë. Sipas Islamit, fëmijët janë një amanet nga Zoti, e që ne si prindër, e kemi për obligim të kujdesemi, t’i ruajmë, t’i edukojmë, t’i shkollojmë e t’i formojmë si qenie fisnike, duke ua mbjellë në zemrat e tyre dashurinë për njëri-tjetrin, familjen, atdheun dhe shoqërinë.
Zoti xh.sh. në Kuran thotë: “Ruani veten dhe familjen tuaj nga zjarri” (Et Tahrim, 6).
Përveç kësaj, edhe prindërit janë amanet i fëmijëve, në veçanti atëherë kur ata kanë arritur moshën e pleqërisë, apo kanë kërkesën më të madhe për përkujdesje dhe ndihmë nga ana e fëmijëve të tyre.
Islami urdhëron për ruajtjen e lidhjeve familjare dhe farefisnore, urdhëron për përkujdesje të vazhdueshme dhe të drejtë ndaj prindërve, sidomos kur ata janë në moshë të shtyrë. Lënia e prindërve pa përkujdesje nga ana e fëmijëve të tyre, sipas fesë sonë është një gjynah i madh, ngase menjëherë pas adhurimit që duhet bërë Zotit xh.sh., jemi të urdhëruar për përkujdesje ndaj prindërve me dashuri dhe respekt.
Përkujdesja ndaj prindërve është një rrugë e drejtë, e cila na afron drejt mëshirës së Allahut xh.sh.Zoti xh.sh. në Kuran thotë:
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El Isra, 23).
Si është e mundur t’i kthehet shpina e të mos përkujdesemi për nënën, e cila na mbajti me mund dhe vështirësi të mëdha në barkun e saj, e cila na ushqeu me gjirin e saj, u përkujdes për ne që të bëhemi këmbë e duar. Si të mos përkujdesemi për babanë, i cili na mbrojti dhe na e siguroi ekzistencën. Nga kjo mësojmë se jemi të obliguar që të sigurojmë mirëqenien dhe rehatinë e prindërve duke mos iu munguar asgjë atyre.
Është obligim që të sillemi mirë ndaj prindërve, nënës dhe babait, ngase në Islam, nuk ka koncept “Prindi 1” dhe “Prindi 2” të së njëjtës gjini, e as nënë të marrë me “qira – apo nënë surrogate”. Pra Islami është kundër modeleve të familjes që devijojnë nga struktura tradicionale dhe parimet islame të burrit dhe gruas.
Kjo bazohet në mësimet e qarta të Kuranit dhe Hadithit. Në Islam, koncepti i prindërve është i qartë: Prindërit janë një burrë dhe një grua, babai dhe nëna.Ndaj nënës dhe babait jemi të urdhëruar për përkujdesje edhe pas vdekjes së tyre, të bëjmë dua – lutje për ta, të japim sadaka – lëmoshë, e t’u ndihmojmë njerëzit në nevojë për shpirtrat e tyre.
Zoti xh.sh. në Kuran thotë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur-edukuar, kur unë isha i vogël!” (El Isra, 24).
Përkujdesja ndaj prindërve, gjyshërve dhe familjes mbarë, siç po shihet është edhe një mundësi për ta fituar kënaqësinë e Allahut xh.sh. dhe shpërblimet e mëdha prej Tij. A thua se mund të gjendet ndonjë thënie e përafërt me thënien e Muhamedit a.s., se: “Xheneti është nën këmbët e nënës.”
Muhamedi a.s. shumë herë na porositi për përkujdesje, ndihmë dhe mirësjellje ndaj familjes dhe prindërve. Ai me një rast tha: “Më i miri prej jush është ai që është më i miri ndaj familjes së tij, dhe unë jam më i miri ndaj familjes.” (Tirmidhiu).
Fatkeqësisht, sot, pothuajse për çdo ditë kemi shumë prindër të braktisur, të lënë e të harruar nga fëmijët dhe të afërmit e tyre. Ata kanë ngelur pa përkujdesje, gjë e cila po e rëndon jetën e tyre deri në ekstrem. Pse po ndodh kjo? Këtë pyetje duhet bërë vetes dhe shoqërisë sonë këtu në Kosovë dhe kudo që jetojnë vëllezërit dhe motrat tona brenda trojeve tona etnike dhe në mërgatën e largët.
Nuk konsiderohet dhunë vetëm dhuna fizike ndaj prindërve. Mospërkujdesja është një formë dhune ndaj tyre. Ajo mund të jetë edhe dhunë emocionale, psikologjike, ekonomike dhe shpirtërore, duke i lënë ata të vetmuar dhe në kushte të vështira të jetesës e në mungesë respekti ndaj tyre. Andaj, edhe abuzimi me prindër konsiderohet një prej mëkateve të mëdha në Islam dhe në shumicën e feve të tjera. Duke veçuar se sjellja dhe përkujdesja e vazhdueshme ndaj prindërve dhe familjes është një urdhër dhe obligim hyjnor, edhe ndëshkimi ndaj atyre që e lënë familjen, e në veçanti i lënë prindërit pa përkujdesje, do të jetë i rëndë para Zotit xh.sh..
Për të bërë përpjekjet e kthimit dhe përkujdesjen ndaj familjes dhe prindërve, duhet t’u kthehemi vlerave fetare, ta përhapim moralin, ta rikthejmë harmoninë brenda familjes, ta rikthejmë paqen në veten tonë, mëshirën dhe edukimin e shpirtit. Familja pra është një mburojë e fortë, sepse ajo mbron anëtarët e saj brenda kështjellës së pathyeshme të saj, e gjithashtu vendos edhe burimin e ekzistencës, formimin dhe edukimin e mirëfilltë. Askush nuk ka të drejtë ta braktisë familjen dhe të shkëput marrëdhëniet me familjen dhe farefisin.
Nëse familja është e shëndoshë, e gjithë shoqëria është e shëndoshë, ngase familja është një shtyllë dhe bazë e strukturës sociale për shkak të lidhjeve të saj shpirtërore, fetare, psikologjike e materiale, veçanërisht nëse është një familje kohezive, e cila siguron një atmosferë qëndrueshmërie.
Mund të themi se vlera e besimit është vlera kryesore dhe qendrore në këto vlera familjare, rreth së cilave rrotullohen vlerat e tjera islame, si vlera e ndershmërisë, e drejtësisë, konsultimit, durimit, dashamirësisë, dëlirësisë, bashkëpunimit, solidaritetit, dhe së fundi vlera e dashurisë dhe mëshirës.
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava
Prishtinë,
30 mars 2025