Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ramazani i tëri është begati e mirësi. Secila natë dhe ditë e tij paraqesin mundësi të veçanta për besimtarët. Në çdo natë amnistohen besimtarë nga zjarri i xhehenemit, në çdo kohë iftari ka lutje të pranuar për agjëruesin, çdo syfyr rezervon hapësirë përgjërimi e përulje para madhërisë së Allahut. Por, pavarësisht këtyre të mirave, pjesa e fundit e Ramazanit është e rezervuar për shpërblimin më të madh, për preminë, për mundësinë më të madhe që ka besimtari për t’i shlyer mëkatet dhe fituar faljen. Prandaj, jo rastësisht Pejgamberi a.s., ua kujtonte besimtarëve këtë periudhë qysh në fillim të Ramazanit kur i uronte për këtë muaj dhe ju thoshte: “…Allahu ka një natë në këtë muaj e cila është më e mirë se njëmijë muaj; kush privohet nga mirësia e saj, ai vërtetë është i privuar.”[1]
Kjo natë është Nata e Kadrit për të cilën Allahu i madhëruar shpalli një kaptinë të tërë:
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. 2. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? 3. Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. 4. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. 5. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” [Kadr: 1-5]
Xhematlinjë të nderuar!
Shpërblimet e mëdha kërkojnë mund, angazhim e sakrifica të mëdha. Këtë e kërkon edhe Nata e Kadrit. Të fitosh mundësinë e vjeljes së shpërblimit të njëmijë muajve s’do mend se duhet përpjekje serioze. Kështu na ka mësuar praktikisht i dashuri ynë, Pejgamberi Muhamed a.s. Në Sahihun e Muslimit (nr. 1175) është regjistruar hadithi i Ajshes r.a., e cila duke rrëfyer për Pejgamberin a.s., ka thënë: “I Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të!, përpiqej në dhjetëditëshin e fundit (të Ramazanit) më shumë se që përpiqej në ditët tjera.”
Në një version tjetër të këtij hadithi[2] na ofrohen detaje të praktikës së Pejgamberit a.s., gjatë këtyre ditëve të bekuara: “Kur fillonin dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të!, e ngjallte natën (me adhurime), e zgjonte familjen (që edhe ata të faleshin), përpiqej (për adhurim të gjatë e të shumtë) dhe shfaqte vendosmëri e përkushtim për adhurim.”
Të dashur myslimanë!
Ajo që duhet të na karakterizojë në këto ditë të bekuara është vendosmëria dhe përkushtimi serioz në mënyrë që të mos lejojmë të na ikën ky shpërblim i madh. Paramendojeni sa mirësi e madhe do të ishte sikur Allahu i madhëruar të na bekojë për Natën e Kadrit e të na falen krejt mëkatet! Allahu i madhëruar thotë:
“Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj!” [Kadr: 3]
Pejgamberi a.s., ka thënë:
“Kush falet në Natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Zotit, i falen mëkatet e mëparshme.”[3]
Këtu qëndron arsyeja pse Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., na ka mësuar e porositur që në këtë natë të lutemi me një lutje të veçantë. Përcillet nga Aisheja r.a., se ajo kishte kërkuar nga Pejgamberi a.s., që t’ia mësonte një lutje të cilën do ta thoshte në rast se bekohej për Natën e Kadrit. Ai i tha: “Thuaj: Allahumme, inneke Afuvvun, tuhibbul afve, fa’fu anni! – O Zoti im, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!”[4]
Por që ta arrijmë këtë natë, na duhet të angazhohemi që nga fillimi. “Kërkojeni Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit…” – kjo është porosia që na e ka dhënë Pejgamberi a.s.
Për ta motivuar veten për angazhim shtesë në këto dhjetë ditë të mbetura, po ju përmendim vetëm disa nga mirësitë dhe veçoritë e Natës së Kadrit:
Vëllezër besimtarë!
Agjërimi është adhurim i cili synon përsosjen morale të besimtarit. Vlerat shpirtërore, etike dhe shoqërore janë prioritete kryesore të tij, me të cilat, në forma të ndryshme, mundohet ta formësojë karakterin e besimtarit. Çdokush që agjëron për hir të Zotit vëren ndryshimin pozitiv tek vetvetja; vëren shmangien nga mëkatet, përmbajtjen nga provokimet, përkushtimin për të tjerët. Por kjo nuk nënkupton se në raste e momente të caktuara, për një ose shkak tjetër, nuk mund të bëjë gabime. Megjithëkëtë, agjërimi insiston që kapitulli i tij të jetë i pastër, prandaj ka ndërmarrë edhe hapin e fundit fare në fund të Ramazanit që besimtari të pastrohet e dëliret nga çdo lëshim a mëkat i mundshëm. Këtë e ka bërë nëpërmjet një lëmoshe, rëndësia e së cilës është shumëdimensionale.
Lëmosha çdoherë është e mirë, por në Ramazan, siç na ka mësuar Pejgamberi a.s., është edhe më e mirë. Këtu mbase qëndron shpjegimi pse Pejgamberi Muhamed a.s., që gjithmonë ishte bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë edhe më shumë. Lëmosha e Ramazanit dallon nga lëmoshat e rëndomta për shkak të normës dhe efektit. Ibën Abasi r.a., transmeton: “Pejgamberi a.s., e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të pista si dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit të Bajramit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e rëndomtë.”[5]
Pra, sadakaja e fitrit është obligim dhe jepet për ta pastruar agjëruesin nga gabimet e mundshme gjatë agjërimit dhe për të ndihmuar nevojtarët. Figurativisht, siç ka thënë Vekiu, sadakaja e fitrit për agjërimin është sikur sexhdeja e harresës për namazin.
Vëllezër të nderuar!
Siç e dini, Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, me institucionet e saja fetare, administrative, arsimore dhe humanitare, funksionon edhe falë këtij kontributi që Ju dhuroni çdo vit, andaj, edhe kësaj radhe apelon tek të gjithë ju që zekatin dhe sadakanë e fitrit t’i jepni në Bashkësinë Islame të Kosovës, përkatësisht në këshillat lokalë të Bashkësisë Islame të Kosovës, për të vazhduar bashkërisht rrugën tonë drejt sukseseve, veçmas në fushën e arsimit dhe edukimit fetar. Me këtë rast duam t’iu kujtojmë se Bashkësia Islame është institucioni i vetëm meritor për këto kontribute meqë është i vetmi që është përgjegjës për jetën dhe edukimin fetar në nivel vendi. Ne ju zotohemi se do të vazhdojmë të jemi zëri juaj më besnik dhe se çdo kontribut tuajin, të madh a të vogël, do ta dërgojmë në vendin përkatës. Nëpërmjet organeve tona humanitare, shoqatës ‘Bereqeti’ me theks të veçantë, ne ndihmojmë me mijëra e mijëra familje çdo vit. Kështu, ndihma juaj materiale që ofroni në këtë fund Ramazan, qoftë me sadakatul fitër, qoftë me zekat, nënkupton një përforcim të radhëve tona në fushën e humanizmit dhe të jetës e arsimit fetar.
Besimtarë të respektuar!
Të kesh para vetes shanse të këtilla e pastaj të mos i shfrytëzosh vërtetë që është keqardhje e shkuar keqardhjes. Këto mundësi të këtyre dhjetë ditëve e netëve, e veçmas ajo e Natës së Kadrit, janë të atilla që, siç ka thënë dijetari Ibën Bettali[6], edhe po t’i përkushtoheshim çdo natë përgjatë gjithë vitit do t’ia vlente. T’i ngjallim këto net, ta zgjojmë familjen dhe të përpiqemi maksimalisht me lutje e adhurime!
[1] Nesaiu, nr. 2106.
[2] Buhariu, nr. 2024; Muslimi, nr. 1174.
[3] Buhariu, nr. 1901; Muslimi, nr. 760.
[4] Tirmidhiu, nr. 3513.
[5] Sahihu Ebi Davud, 1609.
[6] Shih: Sherhu Sahihi el-Buhari, 4/159.