Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një status të veçantë është muaji shaban. Ai e dalloi atë me një pozitë të nderuar dhe të madhe.
Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i veçoi ditët e tij me agjërim, sepse në ato ditë bëhet ngritja e punëve të robit tek Allahu.
Transmetohet nga Usame bin Zejdi r.a., se ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh në ndonjë prej muajve, ashtu siç agjëron në muajin shaban.” Pejgamberi a.s. i tha: “Ky është një muaj ndërmjet rexhebit dhe ramazanit, të cilin njerëzit e shpërfillin. Në këtë muaj veprat i dorëzohen Zotit të botëve. Unë do të doja që të më ngrihen veprat e mia duke qenë agjërueshëm.”
Vlera e mesnatës së muajit shaban
Zoti i Madhëruar e veçoi natën e mesme të tij dhe ditën e saj, i preferoi ato mbi ditët dhe netët e tjera, duke preferuar gjallërimin e asaj nate, për të përfituar të mirat e saj me adhurim (vullnetar) gjatë natës dhe agjërim gjatë ditës, në përpjekje për ta arritur shpërblimin e saj, si dhe të mirat dhe bekimet që zbresin në të.
Kjo është vërtetuar me argumente nga Kurani, Suneti i Pejgamberit a.s., thëniet e sahabëve, tabiinëve dhe nga ata që erdhën pas tyre.
Dëshmi nga Kurani për vlerën e mesnatës së shabanit
“Atë natë vendoset në mënyrë të prerë çdo çështje.” (Ed Duhan, 4).
Është nata e mesit të shabanit. Në të vendoset çështja e vitit, të gjallët ndahen nga të vdekurit, regjistrohet shkuarsi në haxh. Askush nuk u shtohet atyre dhe askush nuk u mungon atyre.
Dëshmi nga Suneti për vlerën e mesnatës së shabanit
Sa i përket Sunetit të Pejgamberit a.s., transmetohet nga udhëheqësi i besimtarëve, Ali bin ebi Talibi r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse është nata e mesit të shabanit, atëherë gjallëroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj, sepse Allahu i Madhëruar zbret aty (zbret mëshira, falja dhe pranimi i lutjeve nga Zoti) me perëndimin e diellit në qiellin e kësaj dynjaje dhe thotë: “A nuk ka njeri që kërkon faljen Time që unë ta falë atë? A nuk kërkon dikush furnizim që ta furnizojë atë? A nuk ka të sprovuar që ta shërojë atë? A nuk ka kështu, a nuk ka ashtu…, derisa të vije agimi.”
Transmetohet nga nëna e besimtarëve, Aisheja r.a., se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Vërtet Zoti i Madhëruar zbret (zbret mëshira, falja dhe pranimi i lutjeve nga Zoti) natën e mesit të shabanit në qiellin e dynjasë dhe falë më shumë se sa flokët e bagëtisë të fisit Kelb.”
Gjithashtu, nga Aisheja r.a. transmetohet të ketë thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin a.s., duke thënë: “Zoti e hap mirësinë në katër net, në natën e Kurban Bajramit, të Fitër Bajramit, në natën e mesit të Shabanit dhe në natën e Arafatit deri në ezan. Në të, natën e shabanit janë ndarë exhelet e vdekjes dhe furnizimet, në të është shkruar shkuarsi në haxh.”
Thëniet e sahabëve për vlerën e mesnatës së shabanit
Sa u përket thënieve të sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, transmetohet nga udhëheqësi i besimtarëve, Ali ibën Ebi Talibi, të ketë thënë: “Më pëlqen që njeriu mund të lirohet (për adhurim dhe lutje) në katër net: nata e Fitrit, nata e Kurbanit, nata e mesit të shabanit, dhe nata e parë e rexhebit.”
Transmetohet nga Abdullah ibën Omeri r.a., të ketë thënë: “Janë pesë net në të cilat lutja nuk refuzohet: nata e xhumasë, nata e parë e rexhebit, nata e mesit të shabanit dhe dy netët e dy bajrameve.”
Transmetimet e tabiinëve për vlerën e mesnatës së shabanit
Omer bin Abdulazizi i shkroi Adij bin Artatit, i cili ishte guvernator në Basra, duke i thënë: “Ti je i obliguar për katër net të vitit, sepse Zoti zbraz mëshirën e tij në to plotësisht: Nata e parë e muajit rexheb, nata e mesit të shabanit, nata e Fitrit, dhe nata e Kurbanit.”
Nga Halid bin Madani, transmetohet të ketë thënë: “Pesë net në vit kushdo që i ndjek rregullisht, duke shpresuar në shpërblimin e tyre dhe duke besuar në premtimin e tyre, Allahu do ta futë atë në Xhenet, e ato janë: Natën e parë të rexhebit. Adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj. Natën e mesit të shabanit, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj, Natën e Fitër Bajramit, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj. Natën e Kurban Bajramit, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj, dhe natën e Ashures, adhuroni natën e saj dhe agjëroni ditën e saj.”
Nga Ata ibën Jasari, transmetohet të ketë thënë: “Nuk ka natë pas natës së Kadrit që është më e mirë se ajo – që do të thotë nata e mesit të shabanit. Në të zbret (zbret mëshira, falja dhe pranimi i lutjeve nga Zoti) në qiellin e kësaj bote dhe falë, përveç një mushriku ose të grindurve mes veti, ose shkëputësit të lidhjeve farefisnore.
Akademia për Fetva në Egjipt
Kajro, 13 mars 2022
Përktheu nga gjuha arabe:
Mr. Ragmi Destani