Zv.ministri i Vakëfeve të Katarit, z. Halid el Ghanim dhe Myftiu Tërnava vizituan objektin vakëf në Gjilan dhe shoqatën “Bereqeti”

Prishtinë, më 10 dhjetor 2025

Zëvendësministri i Vakëfeve të Katarit, z. Halid el Ghanim i shoqëruar nga Myftiu Naim ef. Tërnava, vizituan sot objektin vakëf në qytetin e Gjilanit, një projekt i realizuar falë donacionit të shtetit mik të Katarit. Gjatë vizitës, zv.ministri u njoh nga afër me ecurinë e punimeve dhe progresin e deritanishëm të këtij projekti me rëndësi të madhe për Këshillin e BI-së së Gjilanit.

Myftiu Tërnava falënderoi zv.ministrin El Ghanim për mbështetjen e çmuar dhe kontributin e vazhdueshëm që Katarit ka dhënë për institucionet islame në Kosovë, duke theksuar se ky investim është një dëshmi e marrëdhënieve të forta miqësore dhe gatishmërisë për të ndihmuar zhvillimin fetar dhe shoqëror në vend.

Pas vizitës në objektin vakëf, delegacioni vizitoi edhe Shoqatën Humanitare “Bereqeti”, ku u pritën nga udhëheqësit e saj dhe u njohën nga afër me aktivitetet humanitare që kjo shoqatë zhvillon në shërbim të familjeve në nevojë. El Ghanimi vlerësoi përkushtimin e kësaj shoqate, duke shprehur kështu mbështetjen për punën e saj.

Të dy palët u shprehën të kënaqura me projektet e realizuara dhe aktivitetet humanitare që po zhvillohen, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në të ardhmen për të mirën e qytetarëve.