
Sot, në prag të fillimit të muajit të bekuar Ramazan, me këndimin e tekbireve dhe salvateve, në mënyrë solemne, u zhvillua ceremonia e inaugurimit të xhamisë së re në fshatin Bllacë të Suharekës.
Programi u hap me leximin e një pjesë nga Kurani famëlartë.
Të pranishmit i përshëndeti kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Suharekë, Haki ef. Hoxha, i cili theksoi rëndësinë e xhamive si qendra të edukimit, unitetit dhe përkushtimit ndaj fesë dhe komunitetit.
Imami i xhamisë së Bllacës, Naser ef. Hoxha, falënderoi kontribuuesit dhe theksoi rolin e xhamisë si vatër e dijes dhe harmonisë në komunitet.
Ndërkaq, drejtori i Fondacionit “Amaneti”, z. Blerim Arifi, shprehu gatishmërinë për mbështetje të vazhdueshme në projekte me vlerë për komunitetin.
Ceremoninë e përmbylli kryeimami Vedat ef. Sahiti, i cili theksoi se ndërtimi i xhamive është investim në brezat e ardhshëm dhe në forcimin e vlerave shpirtërore.