Vizita e drejtorit të Diasporës të Bashkësisë Islame të Kosovës në Zvicër

Më 14 mars 2025, drejtori i Diasporës në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, i shoqëruar nga imami i xhamisë “Mati 1”, Fadil ef. Musliu, realizuan një vizitë në Zvicër. Namazin e xhumasë, Ekrem ef. Simnica e fali në xhaminë “Paqja” në Cyrih-Schwamendingen, tek imami Fahredin Bunjaku, ndërsa Fadil ef. Musliu, e fali në xhaminë e Bulachut, tek imami i përkohshëm, Ali ef. Berisha.

Pas namazit, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës u bashkuan për iftarin e përbashkët në Xhaminë Shqiptare në Cyrih, e cila është xhamia e parë shqiptare në Zvicër. Ata u pritën nga imami Nebih ef. Rexhepi, kryetari, anëtarët e Kryesisë dhe xhemati i kësaj xhamie.

Përfaqësuesit e BIK-ut, para namazit të jacisë mbajtën gjithashtu ligjërata me këshilla dhe mësime rreth dhjetëditëshit të fundit të muajit Ramazan.

Drejtori i Diasporës, Ekrem ef. Simnica, në ligjëratën e tij, theksoi rëndësinë e punës dhe veprimtarisë së institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai përcolli urimet dhe përgëzimet e Myftiut Tërnava për muajin Ramazan, duke lutur Allahun që t’ua pranojë ibadetet dhe adhurimet që besimtarët po kryejnë gjatë këtij muaji. Gjithashtu, drejtori Simnica falënderoi të gjithë mërgimtarët për kontributin e vazhdueshëm që ata japin për atdheun, veçanërisht për Bashkësinë Islame të Kosovës. Ai shprehu shpresën dhe bindjen se kjo mërgatë do të vazhdojë të kontribuojë në të ardhmen, sa herë që të jetë nevoja.