Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e Vitit të Ri Hixhri 1447

Në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, të të gjitha institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, me rastin e fillimit të Vitit të Ri Hixhri 1447, u shpreh urimet më të sinqerta të gjithë besimtarëve myslimanë në vendin tonë dhe në mbarë botën islame.

Fillimi i vitit të ri mysliman është kujtesë e një ngjarjeje madhore në historinë islame – Hixhretit të Pejgamberit Muhamedit a.s. nga Meka në Medinë. Ky udhëtim i bekuar nuk ishte vetëm një shpërngulje fizike, por një akt i thellë besimi, përkushtimi dhe sakrifice për hir të Allahut Fuqiplotë.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Veprat vlejnë sipas qëllimit, dhe çdo njeri do ta ketë shpërblimin sipas qëllimit të tij…”

Ky hadith na kujton se çdo hap dhe përpjekje jona merr vlerë nga sinqeriteti dhe drejtësia e qëllimit me të cilin e bëjmë.

Hixhreti mbetet një mësim i përhershëm për vlerën e durimit në sprova, për nevojën e vendimeve të mençura në kohë sfiduese dhe për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në drejtësi, mëshirë dhe solidaritet.

Lusim Allahun e Madhëruar që ky vit të sjellë paqe, mirësi, shëndet dhe begati për të gjithë ne, pa dallim race, vendi apo përkatësie, dhe të jetë vit i përparimit shpirtëror, moral dhe shoqëror për mbarë njerëzimin.

Me hair, begati dhe harmoni Vit i Ri Hixhri!

Me respekt,

Myftiu i Kosovës

Naim ef. Tërnava