U vu gurthemeli i xhamisë së re në Fushë Kosovë

Prishtinë, më 12 shtator 2025

Në prani të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnavës dhe bashkëpunëtorëve të tij, kryetarit të Fushë Kosovës, z. Burim Berisha, përfaqësuesit të Shoqatës së Katarit, Ahmed al Ashal, kryetarit të Këshillit të BI-së së Fushë Kosovës, Valon ef. Ibrahimit, si dhe përfaqësuesve të tjerë institucional, sot, nën këndimin e tekbireve, në mënyrë solemne u vu gurthemeli i xhamisë së re në Fushë Kosovë.

Myftiu Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij përshëndetëse, tha se sot, në këtë ditë të bekuar xhumaje, erdhi edhe momenti për ta realizuar një dëshirë të kahmotshme për ndërtimin e një xhamie të re në këtë vend.

“Sot, këtu para jush, falënderoi kryetarin e Komunës për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi pasur së bashku në projekte të ndryshme, e së fundmi edhe për ndërtimin e kësaj xhamie. Një falënderim të veçantë, për punën e tyre të palodhshme, merion edhe Shoqata e Katarit, e cila në vazhdimësi, për 25 vjet me radhë, ka qenë pranë popullit të Kosovës duke kontribuar në fusha të ndryshme.”

Myftiu Tërnava ndër të tjera tha se e veçanta e kësaj xhamie është se financohet nga familja e emirit të Katarit, pra nga familja e Muhamed bin Hamad bin Abdullah.

Kryetari i Fushë Kosovës, z. Burim Berisha,  tha se ndjehet i lumtur që sot, në këtë ditë të bekuar, po hedhin gurthemelin për ndërtimin e një xhamie, e cila do t’u shërbejë besimtarëve myslimanë për kryerjen e riteve të tyre fetare. Ai tha se në varësi nga rritja e numrit të qytetarëve, do të ndërtohen edhe xhami të tjera, duke treguar kështu gatishmërinë që proceset e këtilla të ecin para.