Prishtinë, më 8 korrik 2025
Në kuadër të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka botuar sot librin “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, të autorit boshnjak, imamit Mevludin Hrnjić.
Ky libër rrëfen përjetimet e vetë autorit gjatë gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë – si një nga krimet më të rënda ndaj popullsisë myslimane në Bosnje dhe Hercegovinë.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, e vlerësoi librin si një dëshmi të fuqishme që kontribuon në ruajtjen e kujtesës historike dhe në ndërgjegjësimin shoqëror për krimet e kryera.
I pranishëm në promovimin e librit ishte edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, z. Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe solidaritetit të popullit të Kosovës me viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
Ky libër u çmua edhe u vlerësua nga Ramadan Shkodra, drejtor për Shtyp dhe Veprimtari Botuese në Bashkësinë Islame të Kosovës edhe për faktin se ky botim është rrëfim i një dëshmitari që përjetoi errësirën e gjenocidit.
Autori, njëherësh imami Mevludin Hrnjić, vetë i mbijetuar i masakrës së Srebrenicës, rrëfen se libri është një dëshmi personale e asaj që përjetoi si fëmijë në korrikun e vitit 1995.
Nga 11 deri më 16 korrik të vitit 1995 në një zonë që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara dhe që ishte nën mbrojtjen e trupave holandeze të OKB-së brenda pak ditëve u vranë dhe u masakruan mbi 8 mijë boshnjak myslimanë.