Prishtinë, më 26 nëntor 2025
Në kuadër të festave të nëntorit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit, ka organizuar një tryezë diskutimi me temën: “Shkatërrimi i xhamive në komunën e Deçanit dhe Junikut nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë, studiues, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe qytetarë, të cilët rikujtuan dëmet e mëdha të shkaktuara ndaj objekteve të kultit gjatë kohës së luftës.
Gjatë diskutimeve u theksua numri i xhamive të shkatërruara, dëmet materiale, shpirtërore dhe kulturore që iu shkaktuan komunitetit, si dhe rëndësia e dokumentimit të këtyre krimeve kulturore për ruajtjen e kujtesës historike.
Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, tha se trashëgimia islame shqiptare ka rëndësi të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh edhe pretendimet e fqinjëve për përvetësimin e saj, ndërsa theksoi se ruajtja dhe dokumentimi i kësaj trashëgimie është detyrë institucionale dhe shoqërore.
Ndërkaq, Ramadan Shkodra, drejtor për Shtyp dhe Veprimtari Botuese, u shpreh se xhamitë ndër vite kanë shërbyer jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në atë kombëtar, duke nënvizuar rolin e tyre në ruajtjen e identitetit dhe kohezionit shoqëror.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri Bajgora, para të pranishmëve foli rreth shkatërrimit të xhamive në periudhën e luftës së fundit në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Profesori i Historisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Selim Bezeraj, theksoi se “me shkatërrimin e xhamive u synua shkatërrimi i kujtesës kolektive dhe identitetit kulturor”, duke shtuar se rikthimi i vëmendjes ndaj këtyre dëmeve është thelbësor për të mos lejuar që e kaluara të harrohet.
Shkodran Imeraj nga Instituti i Historisë “Ali Hadri”, foli shkurtimisht rreth kontributit të ylemave në shpërnguljen e qytetarëve nga trojet shqiptare.
Para fillimit të tryezës, u hap një ekspozitë me fotografi, ku u prezantuan pamje të xhamive të shkatërruara në komunën e Deçanit dhe Junikut gjatë viteve 1998-1999.
Ekspozita u vizitua nga shumë qytetarë dhe u vlerësua si një kontribut domethënës në rikujtimin e dëmeve të shkaktuara trashëgimisë kulturore dhe fetare.