Prishtinë, më 9 korrik 2025
Nën patronazhin e universiteteve më të njohura saudite dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, në Tiranë, nga data 7 deri më 9 korrik 2025, u mbajt Forumi i Parë i të Diplomuarve nga Ballkani në universitetet saudite.
Në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, në këtë Forum, mori pjesë shefi i kabinetit të Myftiut, Besim ef. Mehmeti.
Ky aktivitet u organizua nga Universiteti “Imam Muhamed bin Saud” i Riadit, Universiteti Islamik i Medinës dhe Universiteti “Umm al Qura” i Mekës. Forumi rreth vetes mblodhi qindra të diplomuar nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të botës akademike dhe diplomatike.
Në mesin e të ftuarve ishte edhe ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Feisal Hifzi, si dhe rektorët e universiteteve organizatore dhe ambasadorët e Katarit, Kuvajtit, Libisë dhe Palestinës.
Ceremonia u hap me intonimin e himneve kombëtare të Shqipërisë dhe Arabisë Saudite, pasuar më pas me leximin e një pjese nga Kurani fisnik, si dhe paraqitjen e një dokumentari që paraqiste rolin e Mbretërisë në promovimin e arsimit të lartë dhe mbështetjen e studentëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, rektori i Universitetit “Imam”, prof. dr. Ahmed al Ameri, theksoi rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve me të diplomuarit dhe rolin e tyre në përhapjen e vlerave të moderimit, dijes dhe gjuhës arabe. Ai vlerësoi vizionin e udhëheqjes saudite në forcimin e ndikimit ndërkombëtar të arsimit.
Ambasadori Hifzi, e cilësoi Forumin si një platformë të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve me vendet e Ballkanit dhe vlerësoi të diplomuarit si ambasadorë të kulturës islame saudite dhe ura lidhëse mes popujve.
Në emër të të diplomuarve foli myftiu i Elbasanit, Agim Duka, i cili shprehu mirënjohjen ndaj Mbretërisë për mbështetjen arsimore, duke theksuar se formimi i tij në universitetet saudite ka qenë themelor për rrugëtimin e tij profesional dhe shpirtëror.
Forumi përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit arsimor dhe kulturor ndërmjet Arabisë Saudite dhe vendeve të Ballkanit, përmes aktivizimit të rrjetit të të diplomuarve si ura komunikimi, dialogu dhe zhvillimi të qëndrueshëm.