Prishtinë, më 15 tetor 2025
Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, më saktësisht Drejtorisë për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, ka organizuar sot Akademinë Solemne kushtuar 40-vjetorit të botimit në gjuhën shqipe të Kuranit fisnik.
Ky jubile shënon një moment të veçantë historik për besimtarët myslimanët shqiptarë, pasi botimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe në vitin 1985 përbën një nga arritjet më të mëdha në fushën e studimeve islame dhe të përhapjes së dijes fetare në gjuhën amtare.
Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, theksoi se kjo akademi solemne është organizuar me qëllim që të vlerësohet kontributi i autorit të përkthimit, Feti Mehdiut.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, duke çmuar lart punën dhe angazhimin e Feti Mehdiut me përkthimin e Kuranit, tha se me një punë të tillë i ka shërbyer Islamit dhe atdheut.
Në anën tjetër, Hysen Matoshi, tha se përkthimi i librave të shenjtë shkon edhe përtej aspektit fetar, për shkak se ato kanë luajtur një rol të rëndësishëm në aspektin e emancipimit dhe formësimit të një shoqërie.
Autori i përkthimit të Kuranit, Feti Mehdiu, tha se ndjehet i lumtur që tash e 40 vjet Kurani në shqip lexohet i plotë dhe nga të gjithë.
Gjatë tubimit u theksua se, edhe pse më herët kishte pasur përpjekje dhe pjesë të përkthyera të Kuranit, përkthimi i plotë nga Feti Mehdiu në vitin 1985, shënoi një kthesë të madhe në historinë e përkthimeve islame në gjuhën shqipe, duke mundësuar që Fjala e Zotit të lexohet dhe kuptohet nga të gjithë besimtarët shqiptarë.
Në fund të akademisë, u paraqit edhe një ekspozitë me botime të ndryshme të përkthimeve të Kuranit.