Prishtinë, më 7 prill 2026
Bashkësia Islame e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën e Mbretit Selman të Arabisë Saudite, kanë inauguruar sot programin e ri për shpërndarjen e 25 ton hurmave në Kosovë.
Në hapje të këtij programi mori pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava dhe ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Fejsal Hivzi, të cilët edhe nënshkruan marrëveshjen e pranim-dorëzimit.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava falënderoi Arabinë Saudite për një bashkëpunim të shkëlqyer dhe një mbështetje të vazhdueshme përgjatë viteve.
“Vetë ky program humanitar dhe prania e ambasadorit janë një mesazh i qartë i miqësisë që ekziston mes dy popujve. Pavarësisht distancës fizike, ne e ndiejmë afërsinë, prezencën dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Falë institucioneve përkatëse në Riad, përmes kësaj dhurate dhe shumë ndihmave të tjera që vijnë në vazhdimësi nga Arabia Saudite, siç ishin mbi tetë mijë pako ushqimore gjatë muajit Ramazanit, janë shpërndarë përmes shoqatës “Bereqeti”, tek familjet në nevojë. Kjo ndihmë e madhe, që vjen në një kohë të rëndësishme dhe me një simbolikë të veçantë për popullin tonë, nuk është thjesht mbështetje materiale. Ajo përfaqëson një dëshmi të gjallë të vëllazërisë dhe miqësisë sonë” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Nga ana e tij, ambasadori i Arabisë Saudite në Tiranë, Fejsal Hivzi, u shpreh se: “Mbretëria e Arabisë Saudite, nën udhëheqjen e Kujdestarit të Dy Xhamive të Shenjta, e mbështet këtë program të dhurimit të hurmave, në veçanti për Kosovën si një vend mik dhe i afërt për ne. Kjo dhuratë është vetëm një dëshmi e vogël për marrëdhëniet tona shumë të mira në shumë fusha, ku edhe kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Myftiun Tërnava dhe Bashkësinë Islame të Kosovës.”










