Prishtinë, më 12 shtator 2025
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, ka hapur sot dyqanin e bamirësisë në Fushë Kosovë, të katërtin me radhë, pas Prishtinës, Prizrenit dhe Malishevës.
Në hapje të këtij dyqani i pranishëm qe edhe Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, nënkryetari i Fushë Kosovës, z. Besnik Osmani, përgjegjësi i “Bereqetit”, Xheladin ef. Fazliu, si dhe kryetari i Këshillit të BI-së së Fushë Kosovës, Valon ef. Ibrahimi.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Myftiu Tërnava, tha se fillimisht këtu do të ndihmohen rreth 50 familje, për të vazhduar më pas edhe me rritjen e këtij numri. Ai tha se falë donatorëve bamirës, Shoqata “Bereqeti”, në vazhdimësi po qëndron pranë familjeve nevojtare. Myftiu Tërnava falënderoi edhe nënkryetarin Osmani për gatishmërinë dhe për bashkëpunimin e deritanishëm të Komunës.
Nga ana e tij, nënkryetari Osmani, tha se në të ardhmen ky objekt do të zgjerohet edhe më tej, duke treguar kështu gatishmërinë e Komunës që të jetë pranë familjeve nevojtare.
Ky dyqan përmban gjërat elementare ushqimore dhe higjienike.