Përfundoi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Vakëfi te shqiptarët, histori – trashëgimi – perspektivë”

Prishtinë, më 9 dhjetor 2025

Ka përfunduar punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Vakëfi te shqiptarët, histori – trashëgimi – perspektivë”, e organizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Për dy ditë me radhë, më shumë se 50 studiues nga të gjitha trojet shqiptare dhe rajoni prezantuan kumtesa të ndryshme rreth historikut, rolit dhe zhvillimit të vakëfit te shqiptarët.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart këtë Konferencë, duke theksuar se falë studiuesve u ndriçua roli i rëndësishëm që vakëfet kanë pasur në shoqërinë tonë.

“Gjatë dy ditëve të kësaj Konference u bë e qartë se vakëfi ka luajtur një rol shumë domethënës, si në aspektin social, arsimor, kulturor, ashtu edhe në çdo sferë tjetër të jetës”, tha Myftiu Tërnava.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, së bashku me Këshillin Organizativ të konferencës, vlerësuan lart kontributin e studiuesve, të cilët prezantuan tema me rëndësi të madhe shkencore e historike.

“Nëpërmjet temave të shtjelluara nga studiuesit, shpresoj se do të ringjallet vetëdija për peshën dhe rëndësinë që ka vakëfi te shqiptarët. Po ashtu, ne do të vazhdojmë të marrim shembuj edhe nga shtetet tona mike”, tha drejtori Bajgora.

“Kjo konferencë nuk do të ishte e mundur pa pjesëmarrjen e mbi 50 studiuesve nga fusha të ndryshme, të cilët shqyrtuan tezën e rolit të vakëfeve në jetën sociale ndër shekuj,” u shpreh Valon Myrta nga Këshilli organizativ i Konferencës

Në përmbyllje, studiuesit theksuan se kjo Konferencë hapi horizonte të reja në ndriçimin e historisë së vakëfeve, duke rikujtuar se shqiptarët, qoftë njerëz të pasur, qoftë dijetarë të shquar, kanë lënë pas një trashëgimi të pasur vakëfesh. U nënvizua gjithashtu se shumë prej këtyre vakëfeve ruhen e gëzohen edhe sot, ndonëse një pjesë është shkatërruar gjatë periudhave të pushtetit komunist.