Prishtinë, më 8 shtator 2025
Me këndimin e pjesëve nga Kurani fisnik, salvateve, ilahive dhe pjesëve nga Mevludi, sonte në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, u mbajt manifestim kushtuar Mevludit – ditëlindjes së Pejgamberit a.s..
Ligjëratën kryesore kushtuar jetës dhe porosive të Pejgamberit a.s. e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ndër të tjera tha se Pejgamberi a.s. erdhi si mëshirë për mbarë botët dhe për gjitha krijesat.
“Zoti i Madhëruar që nga krijimi i njeriut të parë, Ademit a.s., dërgoi edhe pejgamber, që njeriun mos ta linte të paudhëzuar. Kështu nisi vargun e pejgamberëve nga Ademi a.s. për të vazhduar kështu deri te Muhamedi a.s., i cili erdhi si mëshirë për gjitha botët dhe gjitha krijesat. Zoti i Madhëruar, në një ajet kuranor, thotë: “Ne të dërguam ty vetëm si mëshirë për gjitha krijesat.”
Myftiu Tërnava më tej porositi që jeta dhe mësimet e Pejgamberit a.s. vazhdimisht të rikujtohen nëpër shtëpitë tona, qoftë përmes këndimit të Mevludit, apo edhe përmes leximit të librave që janë shkruar për jetën e bekuar të Pejgamberit a.s..
Programi më pas vazhdoi me këndimin e pjesëve nga Mevludi nga hoxhallarët, Jahir ef. Beqiri dhe Sallah ef. Feta, si dhe me këndimin e ilahive nga vëllezërit Allajbeg.