Në Vushtrri u hap ekspozita “Kujtesa në fotografi – Xhamitë e shkatërruara në Bosnjë e HercegovinëdheKosovëgjatë viteve 90’”

Prishtinë, më 23 shkurt 2026

Në prani të përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe përfaqësuesve të Komunës së Vushtrrisë, sot, në qytetin e Vushtrrisë, u hap ekspozita “Kujtesa në fotografi – Xhamitë e shkatërruara në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve 90’, e cila dokumenton shkatërrimin e xhamive në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

Fillimisht, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri, Ejup ef. Haziri, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe rikujtoi rolin që këto fotografi kanë në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në përcjelljen e së vërtetës tek brezat e rinj.

Kryetari i Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, e vlerësoi lart këtë organizim, duke theksuar rëndësinë e kujtesës dhe të ruajtjes së trashëgimisë fetare. Ai nënvizoi rëndësinë e objekteve fetare, duke theksuar dhimbjen dhe përgjegjësinë për ta ruajtur këtë histori.

“Regjimi serb nuk u mjaftua vetëm me gjenocid, por shkoi edhe më tej, duke kryer sakralocid. Sepse, po ta zhdukësh një popull fizikisht, kryen gjenocid, por mbetet kultura dhe trashëgimia përmes objekteve fetare. Një fotografi flet sa një mijë fjalë, andaj fjalët tona janë të tepërta”, u shpreh ai.

Ndërkaq, drejtori për Veprimtari Botuese në Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili njëherësh është edhe organizator i kësaj ekspozite, Ramadan Shkodra, theksoi se, përtej kontekstit historik, kjo ekspozitë dokumenton shkatërrime të kryera me përmbajtje kriminale. Sipas tij, në Kosovë këto veprime dëshmojnë një sakralocid, që synonte eliminimin dhe zhdukjen e identitetit të popujve vetëm pse i përkisnin një etnie dhe besimi tjetër.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionesh, imamë dhe qytetarë të shumtë, të cilët patën mundësinë të shohin nga afër dëshmitë fotografike të shkatërrimit të objekteve fetare gjatë luftës.