Në Preshevë u shtrua iftari tradicional “Sofra e Ramazanit”

Prishtinë, më 9 mars 2026

Me pjesëmarrjen e delegacionit nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, i përbërë nga kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese në BIK, z. Ramadan Shkodra, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, dr. Islam Hasani, përfaqësuesve të Këshillit të BI-së së Preshevës, përfaqësuesve nga pushteti lokak, drejtuesve të institucioneve lokale, imamëve veteranë, si dhe besimtarëve të shumtë nga Presheva dhe rrethina, mbrëmë në Preshevë u shtrua iftari tradicional “Sofra e Ramazanit”, i cili shtrohet nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Të pranishmit fillimisht i përshëndeti kryetari i Këshillit, Nexhmedin ef. Ademi, i cili falënderoi mysafirët për pjesëmarrjen dhe i uroi ata për muajin e bekuar Ramazan. Ai theksoi mbështetjen e vazhdueshme që BIK-u i ka dhënë organizimit fetar në Luginën e Preshevës, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj përkrahjeje në ruajtjen e jetës fetare dhe institucionale.

Ndërkaq, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, foli për ruajtjen e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe organik ndërmjet Bashkësisë Islame e Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Ai përmendi kontributin e çmuar të hoxhallarëve ndër breza për ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar në këto troje, duke theksuar se mbështetja morale dhe materiale nga BIK-u nuk ka munguar asnjëherë. Po ashtu, u përmend ndihma e Bashkësisë Islame të Kosovës në blerjen e vakëfeve për akomodimin e institucioneve të saj në Preshevë dhe Bujanoc.