Prishtinë, më 12 shkurt 2026
Ekspozita me fotografi nga xhamitë e shkatërruara gjatë luftës në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë është hapur gjatë ditës së sotme në qytetin e Mitrovicës.
Përmes fotografive edhe në këtë qytet, po dokumentohen dëmet ndaj objekteve fetare islame gjatë viteve ’90, duke sjellë dëshmi vizuale të shkatërrimeve të planifikuara të trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim ef. Tërnava tha se armiku i përbashkët i Kosovës dhe Bosnjës kishte për qëllim që përmes një gjenocidi të organizuar të shkatërrojë jo vetëm popujt, por kishte për qëllim zhdukjen e identitetit fetar dhe kulturor.
Kryetari i Mitrovicës, z. Faton Peci, tha se përmes kësaj ekspozite po dëgjohet zëri i një krimi të organizuar, si ndaj njerëzve ashtu edhe ndaj kulturës dhe trashëgimisë sonë.
Historiani Enis Kelmendi theksoi se shkatërrimi i objekteve fetare në rajon nuk ishte i rastësishëm, duke përmendur se në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë afër 80% e xhamive u dëmtuan ose u rrënuan gjatë luftës.
Në këtë ekspozite morën pjesë, përfaqësuesit më të lartë të komunës së Mitrovicës, përfaqësues të organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare, imam si dhe një numër i konsideruar i qytetarëve.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Mitrovicë për tre ditë, po aq sa ishte e hapur edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, ku u promovua kjo ekspozitë.










