Prishtinë, më 15 janar 2026
Në kujtim të 27-vjetorit të masakrës së Reçakut, një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë, u hap ekspozita me fotografi të xhamive të shkatërruara në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë.
Ekspozita solli dëshmi vizuale për shkatërrimet dhe dhunën e ushtruar gjatë luftërave të viteve ’90, me fokus të veçantë në dëmtimin e xhamive dhe objekteve të tjera fetare islame.
Përmes kësaj ekspozite, u synua që nxënësit të informohen për të kaluarën e dhimbshme, për krimet e kryera ndaj popullit të Kosovës, si dhe për shkatërrimin sistematik të trashëgimisë fetare dhe kulturore.
Drejtor për Kulturë dhe Veprimtari Botuese në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ramadan Shkodra, në fjalën e tij para nxënësve të Medresesë, tha se: “Mesazhet që dalin nga masakra e Reçakut janë të qarta dhe universale. Krimet nuk vjetrohen, e vërteta nuk mund të mohohet dhe drejtësia, sado e vonuar, mbetet obligim moral dhe njerëzor. Në ekspozitën e sotme, teksa shohim këto fotografi, nuk shohim vetëm mure të djegura e të rrënuara, por shohim historinë e një populli dhe dhimbjen e një komuniteti”.
Drejtori i Medresesë Fadil ef. Hasani, tha se s’duhet të harrohet asnjëherë masakra e Reçakut dhe as ajo e Srebrenicës ku të pafajshmit u masakruan vetëm se i takonin një besimi apo një kombësie tjetër.
“Sot përkujtojmë dy ngjarje shumë të rëndësishme: Masakrën e Reçakut, ku 27 vjet më parë 45 civilë shqiptarë u vranë nga forcat pushtuese serbe, si dhe Masakrën e Srebrenicës, ku para syve të botës, i njëjti pushtues masakroi mizorisht mijëra qytetarë të pafajshëm, vetëm pse ishin myslimanë”.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, forcat serbe vranë barbarisht 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, një krim që nxori në pah mizoritë e ushtruara ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe tronditi opinionin ndërkombëtar, duke zgjuar ndërgjegjen e diplomacisë botërore dhe nxitur mobilizimin për Kosovën.
Vetëm në Kosovë gjatë viteve 98-99 u rrënuan, u shkatërruan, u granatuan dhe u përdhosën 218 xhami nga gjithsej 560 sa ishin në Kosovë gjatë asaj kohe. Po ashtu, u dogj selia e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovë, u demolua “Medreseja Alauddin”, si dhe u rrënuan objektet e katër medreseve të vjetra historike.











