Në kujtim me dhembshuri për Eliot Engel

Me dhembshuri mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut të madh të popullit tonë, kongresmenit të shquar amerikan Eliot Engel.

Ai nuk ishte thjesht një mbështetës i çështjes shqiptare, por një zë i fuqishëm, i palodhur dhe i sinqertë, që qëndroi pranë nesh në momentet më të vështira të historisë sonë. Në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë për miq, ai ishte ndër të parët që na besoi, na dha kurajë dhe ngriti zërin për të drejtën tonë.

Kam pasur nderin dhe privilegjin ta takoj disa herë, si në Prishtinë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, dhe çdo takim me të mbetet kujtim i veçantë dhe frymëzim i thellë. Fjalët e tij ishin gjithmonë të mbushura me mençuri, shpresë dhe një përkushtim të rrallë e të sinqertë për të ardhmen e Kosovës.

Humbja e tij është e madhe për popullin tonë. Ne humbëm një mik të çmuar, një përkrahës të palëkundur dhe një zë që nuk u lodh kurrë së mbrojturi të vërtetën dhe drejtësinë për Kosovën.

Megjithatë, trashëgimia e tij do të jetojë gjatë në kujtesën dhe rrugëtimin tonë, si dritë që na udhëzon drejt forcimit të shtetit dhe së ardhmes sonë.

Kosova do ta kujtojë përjetë me mirënjohje të thellë, respekt dhe dashuri mikun e saj të madh, kongresmenin Eliot Engel.

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. Tërnava

Ndaje: