Në Ferizaj u mbajt manifestimi “Pavarësia dhe Ramazani”

Organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame i Ferizajt, sot, në Ferizaj u mbajt manifestimi “Pavarësia dhe Ramazani”.

Në këtë manifestim mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, kryetari i Ferizajt, z. Agim Aliu, kryetari i Këshillit të BI-së së Ferizajt, Nexhmedin ef. Bajrami, si dhe shumë të pranishmë të tjerë.

Programi filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror, e më pas edhe me leximin e disa pjesëve nga Kurani fisnik.

Më pas, me një fjalë përshëndetëse të pranishmëve iu drejtua kryetari i Këshillit të BI-së së Ferizajt, Nexhmedin ef. Bajrami.

Më pas, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Ferizajt, z. Agim Aliu, i cili tha se ashtu si Pavarësia e Republikës, ashtu edhe i shenjti muaj Ramazan, që simbolikisht po ndajnë muajin shkurt, kanë vetëm një fjalë që i bashkon dhe i përshkruan: Sakrificë.

Ligjëratën kryesore kushtuar muajit Ramazan dhe përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ndër të tjera tha se jemi mbledhur në këtë ambient të mrekullueshëm, në një çast të veçantë ku ndërthuren dy ngjarje me peshë të jashtëzakonshme për qenien tonë kombëtare dhe shpirtërore: ardhja e muajit të bekuar të Ramazanit dhe përkujtimi i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Myftiu Tërnava më pas foli rreth historisë së Kosovës, për të cilën tha se po t’i kthehemi asaj, qoftë edhe për një çast, do të përballemi me një të kaluar të dhimbshme, të shënuar nga padrejtësi të rënda, nga pushtime të egra dhe përpjekje të pandërprera për zhdukje e asimilim. Megjithatë, përkundër vuajtjeve, historia jonë është një histori qëndrese, një histori e një populli që kurrë nuk e humbi shpresën, as besimin në Zot, as dashurinë për atdheun.

Pas gjithë këtyre viteve të rënda për popullin e Kosovës, Myftiu Tërnava, kujtoi me krenari edhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

“Ky proces arriti kulmin më 17 shkurt 2008, kur Parlamenti i Kosovës, si shprehje e sovranitetit qytetar, shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Ky akt historik nuk ishte thjesht një vendim politik; ai ishte kurorëzimi i një përpjekjeje shekullore për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Ishte realizimi i amanetit të dëshmorëve, i sakrificës së brezave, i qëndresës së pandërprerë të një populli që kurrë nuk hoqi dorë nga e drejta e tij për të qenë zot i fatit të vet. Pavarësia e Kosovës shënoi triumfin e drejtësisë mbi shtypjen, të shpresës mbi frikën dhe të lirisë mbi robërinë.”

Myftiu Tërnava, gjatë fjalës së tij, nuk la pa përmendur edhe padrejtësitë që po u bëhen udhëheqësve të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Hagës. “Njëzet e gjashtë vjet pas përfundimit të luftës çlirimtare, kur Kosova ka ndërtuar institucionet e saj dhe ka shpallur pavarësinë si shtet sovran, po përballemi me një realitet të ndjeshëm dhe thellësisht emocional për shoqërinë tonë: përpjekjet për të gjykuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë”, tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Në fund të fjalës së tij, Myftiu Tërnava, kërkoi që ta shfrytëzojmë këtë muaj të bekuar për ta forcuar ndërgjegjen tonë kombëtare dhe fetare, për të nderuar me përulësi dëshmorët dhe të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë tonë, dhe për të ndërtuar një të ardhme të denjë për gjakun dhe mundin e tyre. Të jemi të bashkuar në vlera, të fortë në besim, të palëkundur në përkushtim ndaj atdheut, fesë e drejtësisë.

Manifestimi më pas vijoi me një program të pasur artistik, me këndimin e ilahive dhe poezive kushtuar Ramazanit dhe Pavarësisë së Kosovës.