Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vizitoi sot qytetin e Podujevës për të parë nga afër ecurinë e punimeve në ndërtimin e Xhamisë së re te Merqezi.
Gjatë vizitës, Myftiu Tërnava shprehu kënaqësinë e tij për përparimin e deritanishëm të punimeve dhe vlerësoi angazhimin e të gjithë atyre që janë duke kontribuar në këtë projekt me rëndësi të madhe për komunitetin lokal. Ai theksoi se ndërtimi i kësaj xhamie do t’i plotësojë nevojat e besimtarëve të kësaj ane për një hapësirë të përshtatshme për falje, edukim dhe aktivitete fetare.
Ai gjithashtu falënderoi donatorët që po kontribuojnë në ndërtimin e kësaj xhamie.
Myftiu Tërnava më pas vazhdoi vizitën në objektin e hifzit, i cili është duke u ndërtuar në lagjen e Kuvajtit në Podujevë. Aty pa nga afër ecurinë e punimeve që po bëhen, teksa më pas pati një bashkëbisedim të hapur dhe vëllazëror me xhematin e xhamisë së lagjes së Kuvajtit në fshatin Ballovc, ku diskutuan për çështje të jetës fetare dhe sfidat e përditshme të besimtarëve.
Vizitën më pas Myftiu Tërnava e vazhdoi në Xhaminë e fshatit Llugë.
Myftiu Tërnava u zotua se Bashkësia Islame e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë projektet që ndihmojnë për përmirësimin e infrastrukturës fetare dhe forcimin e jetës shpirtërore të besimtarëve në mbarë vendin.