Myftiu Tërnava vizitoi Qendrën Kulturore Shqiptare në Sarajevë

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, mbrëmjen e djeshme zhvilloi një takim të ngrohtë dhe domethënës me drejtuesit e Qendrës Kulturore Shqiptare në Sarajevë, si dhe me përfaqësues të komunitetit dhe afaristëve shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë prej shumë vitesh në Sarajevë dhe në qendra të tjera të këtij shteti.

Në këtë takim miqësor, organizuar në ambientet e Qendrës Kulturore, mirëseardhjen dhe përshëndetjen për myftiun dhe bashkëpunëtorët e tij e dha kryetari i Qendrës, z. Mitat Fidani. Ai falënderoi Myftiun Tërnava për këtë vizitë të veçantë, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të kujdesit dhe përkujdesjes që Bashkësia Islame e Kosovës tregon për shqiptarët jashtë atdheut, për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, kulturor dhe fetar.

Z. Fidani e informoi myftiun për organizimin, strukturën dhe aktivitetet që zhvillon Qendra Kulturore Shqiptare në Sarajevë, me theks të veçantë në rolin e saj në mbledhjen e komunitetit shqiptar, në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe në përpjekjet për integrim të suksesshëm në jetën shoqërore dhe institucionale të Bosnjë e Hercegovinës. Ai theksoi gjithashtu rolin e rëndësishëm që luajnë afaristët shqiptarë në zhvillimin ekonomik lokal dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit me komunitetin vendas.

Myftiu Tërnava, pasi shprehu kënaqësinë për pritjen vëllazërore, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij të sinqertë për përkushtimin dhe kontributin e komunitetit shqiptar në Sarajevë dhe më gjerë. Ai theksoi se lidhjet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij boshnjak janë të ndërtuara mbi histori të përbashkëta, mbi sfida të përbashkëta dhe mbi përvoja të dhembshme të përballjes me agresionin dhe padrejtësinë, çka i ka afruar edhe më shumë këto dy popuj në frymën e solidaritetit, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

Në fjalën e tij, Myftiu Tërnava ritheksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për të mbështetur Qendrën Kulturore Shqiptare dhe gjithë komunitetin shqiptar në Bosnjë e Hercegovinë në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar dhe fetar, në veçanti përmes bashkëpunimeve kulturore, edukative dhe fetare. Ai po ashtu ndau me të pranishmit disa nga përvojat, të arriturat dhe sfidat me të cilat është përballur Bashkësia Islame e Kosovës, duke ofruar mbështetje dhe frymëzim për punën e përbashkët në të ardhmen.

Në përmbyllje të takimit, kryetari i Qendrës, z. Fidani, i dorëzoi Myftiut Tërnava një mirënjohje simbolike në shenjë falënderimi për vizitën dhe kujdesin e treguar, ndërsa të dy palët shkëmbyen dhurata simbolike që forcojnë lidhjet shpirtërore dhe kulturore mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të diasporës në Bosnjë e Hercegovinë.