Myftiu Tërnava vizitoi për ngushëllime familjen e haxhi Avdi Jusufit

Prishtinë, më 3 qershor 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, sot vizitoi për ngushëllime familjen e haxhi Avdi Jusufit nga Vushtrria, i cili ditë më parë ndërroi jetë në Qabenë e bekuar, ku kishte shkuar për ta kryer haxhin.

Myftiu Tërnava me këtë rast tha se vdekjet si e haxhi Avdiut janë për t’u marrë lakmi, duke kujtuar kështu hadithin e Pejgamberit a.s., i cili ka thënë se në Ditën e Gjykimit, besimtarët e tillë do të ringjallen duke shprehur telbijen: “Lebejjke Allahume lebejjk – Të përgjigjem o Allah, të përgjigjem!”


“Ne si besimtarë jemi të bindur në caktimin e Zotit për momentin e dorëzimit të shpirtit. Prandaj edhe ne, bashkë me ju familjarët, kemi ndier dhimbje e mërzi për vdekjen e familjarit tuaj. Lusim Zotin e Madhëruar që rahmetliun ta ketë marrë në mëshirën e Tij dhe që ta gradojë me Xhenetin Firdeus!” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Edhe familjarët e haxhi Avdiut falënderuan Myftiun Tërnava për vizitën, si dhe udhëheqësit e Drejtorisë së Haxhit për trajtimin e veçantë që kanë pasur për babanë e tyre.