Prishtinë, më 28 korrik 2025
Dje, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, zhvilloi një vizitë në Mexhlisin e Bashkësisë Islame në Tivar, ku u prit nga kryeimami i mexhlisit dhe udhëheqësi i Qendrës Islame në Tivar, Mujadin ef. Milaimi.
Kryeimami Milaimi e falënderoi Myftiun për vizitën dhe e njohu atë me organizimin e punës së Mexhlisit, si dhe me funksionimin e Qendrës Islame në Tivar.
Myftiu Tërnava, pasi falënderoi për pritjen, përgëzoi kryeimamin për kontributin dhe angazhimin e tij në ngritjen e jetës fetare në Tivar dhe rrethinë. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të bashkërenduar aktivitete të përbashkëta me Mexhlisin e Tivarit, në funksion të ruajtjes së vlerave kombëtare dhe islame në mesin e qytetarëve të këtij qyteti.
Delegacioni nga Kosova gjatë kësaj vizite vizitoi edhe pjesën historike të Çarshisë së Vjetër të Tivarit.