Myftiu Tërnava vizitoi Konsullatën e Shqipërisë në Ulqin

Prishtinë, më 29 korrik 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, pasditen e sotme vizitoi Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Ulqin, ku u prit nga konsulli i Përgjithshëm, z. Arben Doçi.

Konsulli Doçi e falënderoi Myftiun për vizitën dhe e njohu atë me aktivitetin dhe angazhimet që Konsullata zhvillon në Ulqin, Tivar dhe Krajë. Ai theksoi se gjithmonë e ka vlerësuar lart rolin e Bashkësisë Islame në ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar të shqiptarëve në Mal të Zi.

Nga ana e tij, Myftiu Tërnava përgëzoi konsullin për punën e palodhshme që po bën në shërbim të qytetarëve shqiptarë në Mal të Zi, duke theksuar se duhet angazhim i të gjithëve për të krijuar kushte dhe premisa për një jetë dinjitoze për shqiptarët në Mal të Zi, përmes kultivimit të traditës, kulturës dhe identitetit të tyre.