Myftiu Tërnava vizitoi Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi

Prishtinë, më 29 korrik 2025

Gjatë qëndrimit në Ulqin, Myftiu Tërnava vizitoi edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, ku u prit nga kryetari i këtij Këshilli, z. Faik Nika. Ky i fundit e njohu Myftiun me misionin e Këshillit për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit të shqiptarëve në Mal të Zi. Në bashkëbisedim me Myftiun, z. Nika shprehu shqetësimin për migrimin në rritje të popullsisë shqiptare drejt vendeve perëndimore, si dhe për atë që e cilësoi si një proces të heshtur të asimilimit.

Z. Nika kërkoi që Myftiu, në bashkëpunim me Myftininë në Ulqin, të kontribuojë në ruajtjen e identitetit dhe përkatësisë islame e shqiptare.

Myftiu Tërnava, pasi e falënderoi për pritjen e ngrohtë, vlerësoi lart punën dhe vizionin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe shprehu gatishmërinë që të bëjë gjithçka të mundur në funksion të ruajtjes së gjuhës, arsimit dhe kulturës shqiptare.