Myftiu Tërnava vizitoi Këshillin e BI-së së Dragashit dhe Këshillin e BI-së për Rajonin e Gorës

Prishtinë, më 21 tetor 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka zhvilluar një vizitë pune në Këshillin e Bashkësisë Islame të Dragashit dhe në Këshillin e Bashkësisë Islame për Rajonin e Gorës, ku është pritur nga kryetarët e Këshillave, Driton ef. Çengaj, respektivisht nga Munafis ef. Hoxha dhe administrata e tyre.

Gjatë takimeve, u diskutua për ecurinë e punëve në Këshilla, për zhvillimet në jetën fetare, si dhe për sfidat dhe telashet me të cilat përballen në terren gjatë realizimit të aktiviteteve të tyre.

Myftiu Tërnava vlerësoi angazhimin e imamëve dhe të strukturave të Bashkësisë Islame në këtë rajon, duke shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe punën e tyre në shërbim të xhematit dhe ruajtjes së vlerave islame.

Ai theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet Këshillave lokalë dhe Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në mënyrë që të sigurohet një funksionim sa më i mirë institucional dhe një organizim efikas i jetës fetare.

Myftiu Tërnava, po ashtu, ofroi mbështetjen e plotë të Kryesisë për projektet dhe iniciativat e këtyre Këshillave, që synojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe lehtësimin e mbarëvajtjes së jetës fetare në Dragash dhe në Rajonin e Gorës.

Në përmbyllje të vizitës, Myftiu u shprehu falënderime për mikpritjen dhe i inkurajoi që të vazhdojnë me përkushtim në misionin e tyre fisnik në shërbim të fesë dhe shoqërisë.