Prishtinë, më 10 korrik 2025
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, po qëndron për vizitë zyrtare në Sarajevë, me ftesë të Reisul-ulemas së Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, Husein ef. Kavazoviq.
Gjatë kësaj vizite, në ambientet e Rijasetit në Sarajevë, Myftiu Tërnava u prit nga Reisul-ulema Kavazoviq, i cili e falënderoi për vizitën vëllazërore dhe e njohu atë me veprimtarinë institucionale të Bashkësisë Islame të BeH dhe sfidat me të cilat ajo përballet në përditshmëri.
Në takim, Myftiu Tërnava vlerësoi lart rolin, kontributin dhe qëndrueshmërinë e Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe lidhjeve të ngushta ndërmjet dy bashkësive islame dhe popujve tanë.
“Kemi përjetuar të njëjtin agresor, i cili synoi shfarosjen dhe dëbimin e popullit tonë për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare,” u shpreh ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Në shenjë respekti dhe solidariteti, Myftiu Tërnava i dhuroi Reisul-ulemas librin “Dëshmitar i gjenocidit në Srebrenicë”, të autorit Mevludin Hrnjić, imam dhe i mbijetuar i gjenocidit. Ky botim i Shtëpisë Botuese “Dituria Islame”, u promovua pak ditë më parë në Prishtinë, në prag të shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Myftiu Tërnava do të marrë pjesë nesër në manifestimet përkujtimore në Srebrenicë, për të nderuar viktimat e pafajshme të masakrës së korrikut 1995. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e përkujtimit dhe ruajtjes së kujtesës kolektive, duke rikujtuar se:
“Masakrës së Srebrenicës, Gjykata Ndërkombëtare i ka dhënë statusin juridik të gjenocidit.”