Myftiu Tërnava takoi kryetarët e Këshillave të BI-së

Prishtinë, më 23 tetor 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka takuar sot kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës, me të cilët ka biseduar për ecurinë e punëve dhe sfidat me të cilat ata po përballen.

Në fillim të takimit, Myftiu Tërnava, ka falënderuar kryetarët e Këshillave për punën dhe kontributin e vazhdueshëm që po japin në shërbim të besimtarëve dhe institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Gjatë këtij takimi u prezantua puna që është duke u bërë në ndërtimin e 23 xhamive nëpër qytete dhe fshatra të ndryshme të vendit, duke vlerësuar se këto projekte janë dëshmi e përkushtimit institucional për krijimin e kushteve më të mira për besimtarët.

Në takim u fol edhe për përgatitjet për muajin Ramazan, ku Myftiu Tërnava kërkoi nga Këshillat që të intensifikojnë aktivitetet fetare, humanitare dhe vetëdijësuese në këtë periudhë të rëndësishme për besimtarët myslimanë.

Në fund të takimit, Myftiu Tërnava ka inkurajuar kryetarët e Këshillave që të vazhdojnë me përkushtim dhe përgjegjësi në detyrat e tyre, duke ruajtur unitetin dhe traditën e mirë të bashkëpunimit, tolerancës dhe frymën vëllazërore.