Myftiu Tërnava takoi koordinatorët e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”

Prishtinë, më 15 shtator 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka zhvilluar një takim me koordinatorët e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”. Në këtë takim u diskutua për rrugëtimin dhe sukseset e deritanishme të kësaj shoqate, për sfidat me të cilat janë përballur gjatë realizimit të projekteve humanitare, si dhe për planet dhe synimet në të ardhmen.
Myftiu Tërnava vlerësoi lart angazhimin e koordinatorëve në terren, duke theksuar rëndësinë e punës së tyre në shërbim të familjeve në nevojë dhe të gjithë shoqërisë. Ai shprehu mbështetjen e plotë të Bashkësisë Islame të Kosovës për nismat e “Bereqetit”, duke nënvizuar se solidariteti dhe humanizmi janë vlera të çmuara islame.
Nga ana e tyre, koordinatorët e “Bereqetit” paraqitën të arriturat në projekte të ndryshme sociale, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohen në përmbushjen e misionit të tyre. Ata falënderuan Myftiun Tërnava për mbështetjen e vazhdueshme dhe ofruan ide për projekte të reja që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët në nevojë.