Prishtinë, më 29 korrik 2025
Gjatë qëndrimit në Ulqin, mbrëmë, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka takuar imamët e Mexhlisit të Bashkësisë Islame të Ulqinit, të cilët i ka përgëzuar për kontributin e çmuar në misionin e tyre fisnik për t’iu prirë, edukuar dhe fisnikëruar besimtarët e kësaj treve.
Myftiu vlerësoi lart edhe angazhimin shembullor të këtij mexhlisi, e posaçërisht të imamëve të tij, gjatë pritjes dhe përkujdesjes ndaj të dëbuarve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999, duke dëshmuar një ndjenjë të thellë vëllazërie dhe solidariteti.
Në këtë takim, Myftiu Tërnava u bëri thirrje imamëve që të angazhohen me përkushtim për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e identitetit tonë fetar, gjuhësor dhe kulturor. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për t’i mbështetur imamët me përgatitje profesionale, literaturë dhe trajnime të nevojshme për përmbushjen sa më të suksesshme të misionit të tyre.
Takimi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore, ku u bashkëbisedua për arritjet, sfidat dhe punën që bëhet çdo ditë me xhematët e kësaj treve.