Myftiu Tërnava shtroi iftarin tradicional për nder të Natës së Bedrit

Prishtinë, më 7 mars 2026

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka shtruar iftar për udhëheqësit e Këshillave të Bashkësisë Islame, administratën dhe nëpunësit fetarë.

Ky organizim tradicional u mbajt në Medresenë “Alauddin”, në natën e Betejës së Bedrit, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë islame.

Në fjalën e tij, Myftiu Tërnava tha se Ramazani është muaj që bashkon besimtarët dhe sjell begati shpirtërore. Me këtë rast ai falënderoi të gjithë të angazhuarit për punën e tyre në të mirë të besimtarëve dhe Islamit. Po ashtu, ai tha, se nga kjo ngjarje historike mund të nxirren edhe mesazhe simbolike për qëndresën dhe besimin.

“Nëse dëshirojmë ta hedhim një paralele simbolike mes luftës së UÇK-së dhe luftës së Bedrit, dhe mund ta gjejmë veten pakëz, për shkak se në të dyja luftërat numri ynë ishte i vogël, mirëpo besimi dhe drejtësia bënë që të zbresë fuqia e të Madhit Zot te robërit e Tij.”

Ky iftar i shtruar nga Myftiu Tërnava tash e disa vite është shndërruar në iftar tradicional, ku përveçse bashkon të gjithë në tryezën e iftarit, vlerësohet maksimalisht angazhimi i secilit nëpunës.