Myftiu Tërnava priti në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadëne Japonisë në Kosovë, z. Hiroyasu Tanigaki

Prishtinë, më 26 gusht 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në një takim kurtuazie të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Hiroyasu Tanigaki.

Gjatë këtij takimi, Myftiu Tërnava e njohu mysafirin japonez me historikun, organizimin dhe aktivitetet e Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe me rolin e saj në avancimin e vlerave fetare, morale dhe shoqërore në vend. Ai theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës është gjithmonë e angazhuar për të kontribuar në mirëqenien shpirtërore dhe sociale të qytetarëve, si dhe për ruajtjen e harmonisë ndërfetare, e cila është një prej vlerave më të çmuara të shoqërisë kosovare.

Myftiu Tërnava me këtë rast e falënderoi z. Tanigaki dhe përmes tij tërë shtetin e Japonisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në fusha të ndryshme, duke e vlerësuar këtë ndihmë si një kontribut të çmuar për zhvillimin dhe konsolidimin e vendit.

Nga ana e tij, z. Tanigaki shprehu mirënjohjen për mikpritjen, si dhe vlerësoi rolin pozitiv të Bashkësisë Islame të Kosovës në shoqëri, duke shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në të ardhmen.