Myftiu Tërnava priti në takim shefin e ri të misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Gerard McGurk

Prishtinë, më 16 maj 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim kurtuazie  ambasadorin e ri të misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Gerard McGurk.

Fillimisht gjatë këtij takimi Myftiu Tërnava e uroi ambasadorin për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme. Ai më pas e njohu mysafirin me punët, angazhimet dhe të arriturat e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Myftiu më pas vlerësoi lart bashkëpunimin e deritanishëm me misionin e OSBE-së, duke potencuar kështu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton për një vazhdim edhe të mëtejmë të një bashkëpunimi të tillë.

Nga ana e tij, ambasadori McGurk, falënderoi Myftiun Tërnava për mikpritjen dhe për bashkëpunimin e institucionit të BIK-ut me misionin e OSBE-së, duke thënë se mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë një bashkëpunim të tillë edhe në të ardhmen. Ai vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në ruajtjen e paqes, harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në vend.