Myftiu Tërnava priti në takim nxënësit e Akademisë “Hifdh Kids”

Prishtinë, më 22 korrik 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në një takim të ngrohtë dhe frymëzues nxënësit që vijojnë mësim-besimin pranë Akademisë së Kuranit “Hifdh Kids”, e të cilët shoqëroheshin nga mësueset e tyre, hafëzet Rineta dhe Fatime Nitaj.

Gjatë kësaj bisede, Myftiu Tërnava, uroi dhe përgëzoi nxënësit për arritjet e tyre të dukshme në mësimin e Kuranit përmendsh, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë edhe më tej, me përkushtim dhe durim rrugën e nisur, si dhe duke ua kujtuar atyre se ruajtja në memoriet e tyre e Kuranit fisnik është një dhuratë dhe një përgjegjësi e madhe për ta.

Nxënësit e Akademisë, me zërin e tyre të bukur, të përkushtuar lexuan disa ajete dhe sure nga Kurani fisnik, teksa mësueset e tyre, shprehën falënderimet për Myftiun Tërnava për mbështetjen dhe përkrahjen që vazhdimisht ua ka dhënë atyre.