Prishtinë, më 18 dhjetor 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim një delegacion nga Rijaseti i Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, i kryesuar nga Remzija ef. Pitič, myfti i Gorazhdës.
Gjatë këtij takimi u bisedua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me theks të veçantë në zhvillimin e projekteve të përbashkëta me karakter fetar, kulturor dhe edukativ.
Një vëmendje e posaçme iu kushtua bashkëpunimit në organizimin e ekspozitës me fotografi të xhamive të shkatërruara nga agresori serb gjatë luftës së fundit në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë. Kjo ekspozitë, e cila do të mbahet sot, synon të dokumentojë dhe të kujtojë dëmet e shkaktuara ndaj trashëgimisë fetare dhe kulturore islame, si dhe të sensibilizojë opinionin publik për rëndësinë e ruajtjes së saj.
Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Rijasetin e Bosnje dhe Hercegovinës, duke vlerësuar lart marrëdhëniet ndërmjet dy institucioneve.
Nga ana e tij, Myftiu i Gorazhdës, Remzija ef. Pitič, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe përkrahjen, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në projekte që ruajnë kujtesën historike dhe forcojnë lidhjet ndërmjet komuniteteve islame në rajon.

