Prishtinë, më 28 maj 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim një delegacion nga Qendra e Mbretit Selman e Arabisë Saudite, në përbërje të z. Muhamed Shumeri, z. Abdulaziz Othman dhe znj. Fanar al Shihri.
Fillimisht Myftiu Tërnava iu uroi mirëseardhje mysafirëve, e më pas i njohu ata me punët dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, me theks të veçantë për aktivitetet humanitare që zhvillon ky institucion përmes shoqatës “Bereqeti”.
Ai falënderoi mysafirët dhe nëpërmes tyre Qendrën e Mbretit Selman për ndihmat e vazhdueshme që kanë dhënë për institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, e në veçanti për ndihmat e fundit që kanë të bëjnë me shpërndarjen e mjeteve financiare për jetimët anekënd Kosovës. Ai tha se kjo ndihmesë është tejet e mirëseardhur për ta.
Nga ana e tyre, mysafirët nga Qendra, u shprehën tejet të kënaqur me organizimin, ekzekutimin dhe implementimin e këtij projekti nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës.