Prishtinë, më 1 gusht 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër, z. Mehas Alija, i cili shoqërohej edhe nga zëvendësit e tij, Fehim Abazi dhe Besim Nuzi, si dhe nga anëtarët e tjerë të Kryesisë.
Gjatë këtij takimi të përzemërt dhe vëllazëror, të dy palët diskutuan për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen, si dhe për forcimin e lidhjeve mes mërgatës shqiptare në Zvicër dhe institucioneve fetare në atdhe.
Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen e tij për përkushtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër në ruajtjen e identitetit fetar dhe kombëtar në diasporë, si dhe në promovimin e vlerave islame ndër shqiptarët jashtë vendit. Ai theksoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në përballimin e sfidave të përbashkëta.
Nga ana e tij, z. Alija falënderoi Myftiun për pritjen dhe vlerësoi rolin udhëheqës të Bashkësisë Islame të Kosovës në çështjet fetare dhe kombëtare. Ai shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë edukimin fetar, shkëmbimet e përvojave dhe përkrahjen e aktiviteteve që forcojnë komunitetin mysliman shqiptar kudo që ndodhet.