Prishtinë, më 17 prill 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim kryetaren e Komitetit Paralimpik të Kosovës, znj. Njomza Eminin, e cila shoqërohej nga zëvendëspresidenti, z. Daut Tishuki.
Gjatë këtij takimi, u diskutua për rolin e Komitetit Paralimpik të Kosovës në mbështetjen dhe fuqizimin e sportistëve me aftësi të kufizuara, si dhe për rëndësinë që ka përfshirja dhe barazia në sport dhe shoqëri në përgjithësi.
Myftiu Tërnava shprehu vlerësimin e tij të lartë për punën dhe përkushtimin e Komitetit Paralimpik, duke theksuar se Bashkësia Islame e Kosovës gjithmonë mbështet dhe inkurajon iniciativat që synojnë avancimin e të drejtave dhe dinjitetit të çdo qytetari, pa dallim.
Znj. Emini e informoi Myftiun Tërnava për pjesëmarrjen e sportistëve paralimpikë nga Kosova në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, si dhe për sfidat dhe të arriturat e deritanishme të Komitetit.
Në përfundim të takimit, të dy palët u pajtuan për rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe u shprehën të gatshëm për të kontribuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe përkrahjen e vazhdueshme të sportistëve me aftësi të kufizuara.