Myftiu Tërnava priti në takim imamin Tahir ef. Kukaj

Prishtinë, më 15 prill 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim imamin, njëherësh kapelanin e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Tahir ef. Kukaj, i cili shoqërohej nga sekretari i Qendrës Shqiptare Islame Kulturore në Nju Jork, z. Ferid ef. Bedrolli.

Gjatë këtij takimi u diskutua për organizimin fetar të komunitetit shqiptar në diasporë, me theks të veçantë për rolin e institucioneve fetare në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe fetar ndër breza.

Myftiu Tërnava vlerësoi lart kontributin e imamëve në mërgatë, duke theksuar se puna e tyre për ruajtjen e vlerave islame dhe shqiptare në një mjedis multikulturor si ShBA-ja është jo vetëm e nevojshme, por edhe e lavdërueshme dhe e domosdoshme.

Nga ana e tij, imami Kukaj shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe mbështetjen që Bashkësia Islame e Kosovës u jep komuniteteve shqiptare jashtë vendit, duke theksuar kështu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit institucional.