Myftiu Tërnava priti në takim hafëzet Rineta dhe Fatime Nitaj

Prishtinë, më 5 qershor 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim mësueset e Akademisë së Kuranit “Hifdh Kids”, hafëzet Rineta dhe Fatime Nitaj.

Myftiu Tërnava uroi hafëzet për certifikimin e tyre me ixahezet në dhjetë kiraetet e Kuranit fisnik me zinxhir transmetimi të lidhur deri te Muhamedi a.s.. Ai po ashtu përgëzoi ato për punën dhe angazhimin e tyre që janë duke dhënë në mësimin e Kuranit te nxënësit e Akademisë “Hifdh Kids”.

Hafëzet me këtë rast falënderuan Myftiun Tërnava për përkrahjen e vazhdueshme dhënë për Akademinë “Hifdh Kids”, duke potencuar kështu përkushtimin e tyre të mëtutjeshëm për vazhdimin e mësimit të Kuranit fisnik për fëmijët.

Senedet të cilat janë certifikuar hafëzet janë: Senedi në kiraetin Nafi el Medenij, Ibën Kethir el Medenij, Ebu Amër el Basrij, Ibën Amir esh Shamij, Asim el Kufij, Hamze el Kufij, Kisaij el Kufij, Ebu Xhafer el Medenij, Jakub el Basrij, Half el Ashir el Bezi. Ato gjithashtu janë certifikuar edhe në Mutunet: “Mutn esh Shatibijeh”, “Mutn ed Durrah el Mudijeh”, “El Mukadimeh el Xhezerijeh”, “Et Tuhfetu el Etfeli Wel Gilmen”. Pas këtij certifikimi, ato kanë fituar titullin “Shejha të dhjetë kiraeteve të Kuranit fisnik” nga Al Az’hari Sherif i Egjiptit.