Prishtinë, më 13 mars 2026
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Vakëfeve të Republikës së Turqisë, i përbërë nga Mehmet Ali Palalı, drejtor i Vakëfeve për rajonin e Şanlıurfës, Adem Bacanlı, drejtor i Vakëfeve për rajonin e Malatyas, si dhe Mehmet Batuhan Geçer, zyrtar nga Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë në Drejtorinë e Përgjithshme të Vakëfeve.
Gjatë këtij takimi u bisedua për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, si dhe për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.
Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme që kjo Drejtori ka dhënë për Kosovën, veçanërisht përmes projekteve dhe ndihmave të ndryshme në fushën fetare, humanitare dhe kulturore, me theks të veçantë në restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë. Ai falënderoi posaçërisht për pakot ushqimore dhe iftaret e shumta, të cilat janë dhënë përgjatë këtij muaji të bekuar Ramazan. Ai theksoi se këto projekte kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në jetën fetare dhe shoqërore në vend, duke ndihmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e institucioneve islame në Kosovë.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e delegacionit turk shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të reja në shërbim të besimtarëve dhe të komunitetit në përgjithësi.

