Myftiu Tërnava priti në takim atasheun për çështje fetare të Arabisë Saudite në Sarajevë

Prishtinë, më 30 shtator 2025

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim atasheun për çështje fetare të Arabisë Saudite në Sarajevë, njëherësh drejtor i Qendrës Kulturore “Mbreti Fahd” në Bosnjë dhe Hercegovinë, z. Abdulatif al Husain.

Në fillim të takimit, Myftiu Tërnava e uroi z. Al Husain për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme.

Më pas Myftiu Tërnava e njohu mysafirin me punët, angazhimet dhe të arriturat e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke theksuar rolin e rëndësishëm të këtij institucioni në mbarëvajtjen e jetës fetare në vend. Ai foli edhe për projektet dhe iniciativat e shumta që BIK-u ka ndërmarrë në fushën e edukimit fetar dhe shërbimeve ndaj besimtarëve.

Nga ana e tij, atasheu Al Husain shprehu vlerësim për kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe u interesua për zhvillimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.