Prishtinë, më 16 shtator 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim ambasadorin e ri të Hungarisë në Republikën e Kosovës, z. László István Dux.
Myftiu Tërnava fillimisht i uroi mirëseardhje ambasadorit, e më pas e uroi atë për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme. Më pas, gjatë takimit, Myftiu Tërnava e njohu ambasadorin për veprimtaritë dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke theksuar rolin që ky institucion ka në edukimin fetar, ruajtjen e harmonisë ndërfetare dhe promovimin e vlerave morale në shoqëri. Ai nënvizoi se BIK-u ka qenë gjithmonë faktor stabiliteti dhe paqeje në vend, duke kontribuar për mirëqenien shpirtërore dhe shoqërore të qytetarëve.
Nga ana e tij, ambasadori Dux çmoi lart rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në forcimin e vlerave të paqes, dialogut dhe bashkëjetesës.