Prishtinë, më 29 korrik 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, prej ditës së djeshme po qëndron për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku ka realizuar takime të rëndësishme me drejtuesit më të lartë të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, me përfaqësuesit e Këshillave të Myftinisë në Tivar dhe Ulqin, me kryetarin e Komunës së Ulqinit, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, si dhe me konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë në Ulqin.
Sot paradite, Myftiu Tërnava është pritur nga Reisul-ulema i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat ef. Fejzoviq, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët më të afërt të Rijasetit, si dhe nga drejtuesit e Myftinisë së Ulqinit.
Reisi Fejzoviq e falënderoi Myftiun për vizitën, duke e konsideruar atë si një vizitë vëllazërore. “Jemi të nderuar me vizitën tuaj, i nderuar Myfti. Ju falënderojmë për bashkëpunimin e sinqertë dhe mbështetjen që na keni dhënë ndër vite. Jemi të përkushtuar që të rrisim nivelin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe botimeve”, tha ndër të tjera reisi Fejzoviq.
Ai gjithashtu e njohu Myftiun me të arriturat, sfidat dhe projektet e Bashkësisë Islame të Malit të Zi.
Nga ana e tij, Myftiu Tërnava theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit të mirë ndër vite, ka ardhur koha që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më shumë, përmes koordinimit të nismave të përbashkëta në projekte konkrete. Në këtë kontekst, Myftiu vlerësoi lart kontributin e Bashkësisë Islame të Malit të Zi në strehimin dhe akomodimin e të zhvendosurve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999. Ai shprehu mirënjohjen e thellë për ndihmën e dhënë veçanërisht nga Myftinitë e Ulqinit, Rozhajës dhe Tivarit për pritjen dhe strehimin e qytetarëve të dëbuar nga forcat serbe.
“E kemi të qartë se solidariteti vëllazëror në kohë të vështira nuk harrohet. Ajo që ka bërë popullata shqiptare dhe boshnjake për të dëbuarit nga Kosova meriton vlerësim të drejtë dhe dinjitoz. Prandaj, jemi duke përgatitur organizimin e një konference ku do të trajtohet kjo çështje jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në vendet e tjera”, tha Myftiu Tërnava.
Ai shtoi se është me rëndësi që të krijohen mundësi që komuniteti shqiptar kudo që jeton në Mal të Zi të gëzojë të drejtat e tij në gjuhë, arsim, edukim dhe punësim.