Prishtinë, më 21 mars 2025
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka marrë pjesë sot në Tryezën e dialogut ndërfetar “Dialogu ndërfetar sipas modelit shqiptar”, e cila u organizua nga Fondacioni “Drita”.
Në hapjen e kësaj Tryeze, përveç prijësve fetarë të komuniteteve fetare në Kosovë, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Kosovës.
Myftiu Tërnava në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë Tryezë çmoi dhe vlerësoi lart rolin dhe kontributin e prijësve fetar ndër shekuj te shqiptarët, të cilët sipas tij, besimin fetar e përdorën për ta ruajtur popullin shqiptar nga orvatjet e armiqve tanë.
Ai tha se prijësit fetarë dhe institucionet e kultit, te ne promovuan besimin e tyre, por në të njëjtën kohë respektuan, çmuan dhe vlerësuan besimin e vëllezërve të tyre.
“Një meritë e veçantë e parisë sonë fetare, e institucioneve tona fetare është ruajtja e besimtarëve dhe e popullit tanë nga orvatjet e armiqve tanë që besimet tona t’i përdornin si mjete për t’i përçarë shqiptarët. Këtë hile e këtë mision të kobshëm për ne, paria jonë fetare arriti që ta parandalojë dhe të dështojë që në zanafillë të tij, e në vend të grackave të armiqve, ata kultivuan drejt mësimet e feve, me këtë rast, këtu kujtoj haxhi Ymer Prizrenin, haxhi Vehbi Dibrën, dom Nikollë Kaçorrin, Gjegj Fishtën, hafëz Ali Korçën, Fan Nolin, mulla Idriz Gjilanin e deri te hafëz Sabri Koçi e at Zef Pllumbli” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Ai duke folur për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet shqiptarëve, tha se këto vlera janë të njohura dhe të pranuar botërisht, andaj mund të themi me gojën plot se këto janë vlera të dalluara ndër shqiptarët, e të cilat çmohen si në Lindje, njashtu edhe në Perëndim, në Meke, në Vatikan e në Jerusalem.
Myftiu Tërnava nuk la pa përmendur edhe kontributin e çmuar dhe vizionin e prijësve fetarë, myftiut dr. Rexhep Boja dhe ipeshkvit Mark Sopi, të cilët bënë më të mirën për ta ruajtur dhe kultivuar në kohë e ditë të vështira kohezionin shoqëror brenda kombit tonë, duke promovuar dhe demonstruar në formën më të mirë bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare te shqiptarët.
Në fund të fjalës së tij, Myftiu Tërnava, tha se këto vlera te shqiptarët, më së miri u vunë në funksion edhe përgjatë viteve 90-ta, kur ne si popull u përballëm me një okupim klasik nga ana e Serbisë.
“Asokohe qe një mobilizim i përgjithshëm, për të refuzuar nënshtrimin dhe okupimin. Edhe në këtë rast rol të rëndësishëm kanë pasuar dy bashkësitë tona fetare, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike, të cilat qenë në ballë të popullatës për t’i udhëzuar dhe për ta përballuar situatën e krijuar. Infrastruktura e dy bashkësive fetare, xhami e kisha, u vunë në funksion të çështjes kombëtare e në shërbim të popullit për të mbijetuar e për të realizuar projektin që sot e kemi realitet – vendin tonë të lirë e demokratik” – përfundoi fjalën e tij Myftiu Naim ef. Tërnava.
Gjatë kësaj seance, për të shkëmbyer qëndrimet dhe idetë e tyre, me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe ipeshkvi i Kishës Katolike, Dodë Gjergji, pastori i Kishës Protestante, z. Artur Krasniqi dhe përfaqësuesi i komunitetit hebre, z. Hysen Hyseni.
Në fund të kësaj Tryeze, nga prijësit fetarë u nënshkrua edhe deklarata e përbashkët.